Polemikat rreth VAR-it, Neville: Rregulla koti, gjyqtarët janë kthyer në robotë

schedule11:39 - 1 Dhjetor, 2020

schedule 11:39 - 1 Dhjetor, 2020

Polemikat rreth përdorimit të teknologjisë në futboll vazhdojnë në Angli dhe jo vetëm. Rasti i fundit ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në ndeshjen mes West Ham dhe Aston Villa, ku miqve iu anulua një gol vetëm se krahu i lojtarit ishte në pozicion jashtë loje.

Ish-mbrojtësi i Manchester United, Gary Neville, i cili tashmë është një analist në “Sky Sports”, mendon se ka ardhur koha për ndryshimin e rregullave. Sipas tij tifozët e urrejnë VAR-in, si dhe se autoriteti i gjyqtarëve ka humbur.

“Vijëzimet në monitor nuk janë problem. Ajo që po ndodh është që besueshmëria e gjyqtarit është kërcënuar dhe madje tani ata vetë po dyshojnë te vetja e tyre. Arbitri që shkon tek monitori nuk është një problem. Ai shkon atje dhe nuk e di nëse vendimi është i duhuri. Problemi qëndron te zbatimi i teknologjisë apo edhe tek vetë rregulli”, deklaron anglezi.

“Rregulli i prekjes së topit me dorë është një marrëzi. Rregulli për krahun që është jashtë loje është një marrëzi. Këto dy rregulla duhet të ndryshojnë dhe ndoshta VAR do të bëhet më i pranueshëm. Problemi për momentin është se gjyqtarët duken të programuar si robotë.

Ata duhet të jenë të qetë dhe të shkojnë te monitori dhe të thonë se unë shkoj me vendimin tim, por në fakt janë të frikësuar për vdekje. Autoriteti i tyre ka ikur dhe tifozët e urrejnë këtë gjë. Diçka duhet të ndryshojë”, përfundon Neville. /abcnews.al