Piktori “shtegtar” nga Shkupi, që prej 12 vitesh bën portrete në shëtitoren e Sarandës

schedule16:48 - 17 Gusht, 2022

schedule 16:48 - 17 Gusht, 2022

Çdo pasdite deri në mbrëmje vonë, Rifat Çeliku, mjeshtri i portreteve tërheq vëmendjen e pushuesve që shëtisin në shëtitoren e Sarandës. Prej më shumë se një dekadë gjatë muajve e verës largohet nga Shkupi, ku banon dhe zhvendoset në Sarandë.

“U bëra 12 vite që vij në Sarandë. Kam qenë e në vende të tjera, por kur erdha për herë të parë këtu më pëlqeu shumë Saranda dhe vendosa që të punoj këtu gjatë muajve të sezonit veror. Jam këtu prej korrikut deri në gusht”, tregon ai.

60 vjeçari vite më parë me të njëjtin pasion ka pikturuar portretet e turistëve, në Kroaci e Greqi. Nostagjia ishte një tjetër shtysë që vendosi të qëndrojë dhe punojë në Sarandë.

“Më herët kam kaluar 10-12, vite në Kroaci. Kur bëja krahasimin me qytetet e tjera bregdetare Durrësin, Vlorën, Velipojën dhe më lart, një nostagji më kapi për kohën kur isha më i ri në Kroaci ka ngjashmëri bregdeti i Sarandës me atë kroat”, thotë Çeliku.

Për sa kohë qëndruam pranë piktorit, të interesuar dukeshin më shumë fëmijët dhe të rinjtë. Ai thotë se kjo është një rastësi, pasi dhe mosha më të rritura kërkojnë portrete. Gjithësesi më të interesuar janë shqiptarët, që jetojnë jashtë vendit dhe pushojnë në Sarandë.

“Pikturimi i portreteve është atraksion shumë i madh. Turistët janë kureshtarë. Të gjithë kërkojnë, por gëzohem më shumë kur kërkojnë shqiparët. Po më shumë kërkojnë emigrantët se i kanë kushtet më të mira financiare”, tregon piktori.

Një adoleshent me prindër shqiptarë që ka lindur në Itali dhe po pushon në Sarandë, para se të largohet nga vendi vendosi të marrë një kujtim.

“Më pëlqeu stili edhe puna e piktorit, mënyra sesi pikturon. Është vërtet i zoti, kështu që doja një kujtim nga Saranda”, thotë ai.

Rifati ka 36 vite që pikturon portrete dhe prej eksperiencës duart e tij janë shkathtësuar shumë. Një portret e realizon në një kohë shumë të shkurtër.

“Kur e punoj më bardh e zi zgjat 30 minuta, kur e punoj me ngjyra zgjat treçerekore deri 1 orë”, tregon Çeliku.

Kjo punë sezonale i siguron të ardhura shtesë, pasi muajt e tjerë të vitit jep lëndën e pikturës në një shkollë në Shkup. /abcnews.al