Përplasja në Kuvend, reagon Hoti: Sjellja e disa deputetëve e papranueshme

schedule16:54 - 19 Nëntor, 2020

schedule 16:54 - 19 Nëntor, 2020

Kryeministri Avdullah Hoti, ka reaguar pas përplasjes së deputetëve dhe gjuhës ofenduese gjatë seancës së sotme ku po diskutohej për të pagjeturit.

Sipas Hotit, sjelljet e tilla janë jashtë çdo standardi të komunikimit politik.

Ndër të tjera në reagimin e tij Hoti i ka cilësuar të papranueshme sjelljet dhe gjuhën e disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës gjatë interpelancës lidhur me çështjen e të pagjeturve në kuadër të Marrëveshjes së Uashingtonit.

Kryeministrit thekson se sjelljet e tilla janë jashtë çdo standardi të komunikimit politik, e sidomos sot kur temë e debatit ishte fati i të pagjeturve, çështje kjo shumë e ndjeshme për shoqërinë tonë, e cila po trajtohet me shumë përkushtim nga Institucionet e Kosovës.

Reagimi i plotë:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i vlerëson të pa pranueshme sjelljet dhe gjuhën e disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës gjatë interpelancës lidhur me çështjen e të pagjeturve në kuadër të Marrëveshjes së Uashingtonit.

Kryeministrit Hoti thekson se sjelljet e tilla janë jashtë çdo standardi të komunikimit politik, e sidomos sot kur temë e debatit ishte fati i të pagjeturve, çështje kjo shumë e ndjeshme për shoqërinë tonë, e cila po trajtohet me shumë përkushtim nga Institucionet e Kosovës.

Kryeministri Hoti, përpos interpelancës së sotme, disa ditë më parë, lidhur me këtë temë ka zhvilluar një takim me dyer të mbyllura me deputetët nga të gjitha subjektet politike parlamentare, anëtarë të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, ku i ka njoftuar në hollësi për angazhimet e të gjitha institucioneve relevante që trajtojnë fatin e të pagjeturve.

Ju rikujtojmë se në këtë proces shumë të ndjeshëm dhe kompleks është i përfshirë një rrjet i institucioneve dhe mekanizmave, të cilët veprojnë në koordinim të plotë mes tyre:

Zyra e Kryeministrit, përmes Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur,

Policia e Kosovës, përmes Sektorit për Hetimin e Krimeve të Luftës,

Instituti i Mjekësisë Ligjore,

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës,

Grupi për persona të zhdukur (për dialog me palën serbe),

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC)

Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP).

Kryeministri Hoti rithekson se, angazhimi për ndriçimin e fatit të të pagjeturve nga lufta  e fundit në vendin tonë, nuk ka munguar nga asnjëra Qeveri deri më sot, e sidomos tani kur është shtuar mbështetja dhe trysnia nga bashkësia ndërkombëtare që kjo çështje të përmbyllet sa më parë./abcnews.al