Përmirësohet situata nga përmbytjet, por emergjencat janë në gatishmëri

schedule15:25 - 4 Shkurt, 2018

schedule 15:25 - 4 Shkurt, 2018

Ndërsa pritej një përkeqësim i motit në orët e pasdites së kësaj të diele, agjencitë përkatëse njoftuan për ulje të intinistetit të reshjeve. E për pasojë janë ulur edhe lumenjtë Vjosë e Shkumbin, që rrezikonin territore të tëra. Duket sikur kjo situatë ka nisur të përmirësohet, ndërsa forcat Emergjences Civile dhe ato të Ushtrisë vazhdojnë të jenë në gatishmëri për çdo rast.

Ka nisur të përmirësohet situata nga përmbytjet në të gjithë vendin. Kjo për shkak se reshjet janë lehtësuar.
Megjithatë grupet e Shtabeve te Emergjencave janë ende në gatishmëri. Qytetarëve dhe sidomos drejtuesve të automjeteve u është kërkuar që të tregojnë kujdes të shtuar në drejtim të rrëshqitjeve të dherave dhe të gurëve. Në Novoselë, niveli i ujit ka rënë dhe Vjosa duket më e qetë .

Gjatë paradites, 17 familje u evakuan, bashkë me bagëtitë e orenditë shtëpiake. Shtabet vendore të emergjencave në Fier e Vlorë, po mbështeten nga 150 efektivë të ushtrisë dhe 15 mjete. Në Shkumbin pritej të ishte situatë e rëndë, por megjithatë edhe në këtë rajon duket të mos ketë të papritura.

Paradite u konstatua përmbytje nga Librazhdi, Elbasani, Peqini, Rrogozhina, Myzeqeja e deri në grykëderdhjen e tij në Adriatik. Në Librazhd, vërshimi i Shkumbinit, ka shembur plotësisht një urë, atë të Rrethit të Bardhë, në njësinë administrative Hotolisht. Ka pasur edhe bllokim te fshatrave ne Orenjë, Zdrajsh dhe Verri.

Uji ka hyrë edhe në katet e para të shtepive në qytetin e Librazhdit. Edhe qarkullimi në segmentin Librazhd-Përrenjas, ka patur probleme nga rënia e gurëve nga shpatet e maleve, veçanërisht në vendin e quajtur “Kthesat e Murrashit”. Reshjet kane rritur nivelin e ujit edhe të Lumit Ishëm, në Fushë Krujë. Për pasojë, disa shtëpi janë rrethuar nga uji, e shumë të tjera janë në rrezik. Mbi 500 hektarë tokë janë nën ujë, në fshatrat Murqin Bilaj, Mazhë e madhe e Mazhë e vogël./abcnews.al