TIRANË– Kryeministri i vendit, Edi Rama, mblodhi këtë të hënë në 11:00 qeverinë dhe grupin parlamentar në Pallati i Brigadave.
Në mbledhjen e zhvilluar sot ABC News, mëson se u diskutuan disa çështje me rëndësi për ecurinë e punëve të vendit dhe për organizimin e brendshëm politik.
Gjatë takimit u trajtua ecuria e bashkëbisedimit me anëtarësinë socialiste në të gjithë vendin, si edhe procesi i zgjedhjeve në organizatat socialiste, me raportime nga drejtuesit politikë të qarqeve mbi zhvillimet dhe problematikat e konstatuara në terren.
Në fokus të diskutimeve ishte gjithashtu progresi i negociatave për integrimin europian, kalendari i reformave dhe masat e reja që lidhen me këtë proces, ndërkohë që u raportua edhe mbi detyrat e lëna nga mbledhja e mëparshme dhe ecurinë e zbatimit të tyre.
Mbledhja trajtoi edhe organizimin e aktiviteteve në kuadër të “Majit të Europës”, si dhe përgatitjet për 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, duke theksuar rëndësinë e këtyre momenteve për jetën politike dhe institucionale të vendit.
/abcnews.al


