Pengu i Hoxhajt: Bylis më mohoi transferimin jashtë, Andi Lila më motivoi

schedule17:28 - 21 Maj, 2020

schedule 17:28 - 21 Maj, 2020

Ardit Hoxhaj ka një peng te madh. Sulmuesi ishte pranë kalimit në Greqi në një moment, por transferimi u bllokua nga Bylis. 25-vjeçari është pjesë e Flamurtarit prej verës së kaluar dhe, në një prononcim për “Fan Zone” në Supersport, nuk e mohon të luajë me kuqezinjtë dhe në Kategorinë e Parë.

PENGU – “Pengu im është që nuk kalova te Pas Janina. Shkova atje kur ekipi po përgatitej për kupat e Evropës. Ishte arritur paraprakisht marrëveshja për 30 mijë euro dhe 50% të kartonit. Do të luaja direkt në Evropë, sepse trajneri më pëlqente dhe më kishte programuar në formacion. Presidenti i Bylisit rriti pretendimet dhe nuk u arrit marrëveshja, ky është pengu im”.

VAZHDIMËSIA – “Të respektojmë fanellën e Flamurtarit. Nga bisedat që kemi pasur me shokët, kemi menduar pse të mos luhet kampionati dhe të tregojmë vlerat tona. Rëndësi ka të jemi të kërkuar në merkato, pak rëndësi ka nëse do të qëndroj te Flamurtari apo do të shkoj diku tjetër. Fryma e grupit na ka mbajtur që jemi akoma këtu”.

E ARDHMJA – “Pasi të përfundojë kampionati, do të flas me presidentin. Nëse do të kemi projekt serioz, pse të mos qëndroj të Flamurtari, në të kundërt do të marrim vendime të tjera”.

BISEDA – “Para 4-5 ditëve kisha një bisedë me Andi Lilën, po flisnim për të kaluarën. Sa keq që nuk kalova te Pas Janina. Ai më pyeti sa vjeç je, 25 i thashë. ‘Në këtë moshë kam ikur jashtë Shqipërisë, nuk është kurrë vonë‘, më tha Andi”. /abcnews.al