PD: Prokuroria po ushtron presion për shoqërimin me forcë dhe arrestimin e Bashës

schedule12:44 - 17 Qershor, 2019

schedule 12:44 - 17 Qershor, 2019

Në një njoftim për mediat, Partia Demokratike shprehet se drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, po ushtron presion të paligjshëm ndaj prokurorëve të çështjes së lobimit të PD në SHBA për shoqërimin me forcë dhe arrestimin e kryetarit të opozitës.

Sipas selisë blu, ky presion kriminal po ushtrohet me urdhër direkt të Ramës për të larguar vëmendjen nga përgjimet e reja që ka paralajmëruar se do të publikojë sot gazeta gjermane BILD.

“Me urdhër direkt të Edi Ramës, drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj në dhunim flagrant të ligjit po ushtron presion të paligjshëm ndaj prokurorëve të cështjes për shoqërimin me forcë dhe arrestimin e kryetarit të opozitës, ndonëse kryetari i opozitës ka konfirmuar vullnetin për tu paraqitur në prokurori sapo kjo e fundit të zbatojë ligjin për thirrjen e tij.

Ky presion kriminal përmes urdhrave të paligjshëm të prokurores së kapur Elisabeta Imeraj po ushtrohet me urdhër direkt të Edi Ramës me qëllim për të larguar vëmendjen nga përgjimet e reja që ka paralajmëruar se do të publikojë sot gazeta gjermane BILD.

Partia Demokratike paralajmëron prokuroren Imeraj dhe shefin e saj Edi Rama se ky skenar kriminal do të dështojë dhe ata do të jenë përgjegjës direkt për këtë veprim kriminal të paprecedentë të shkeljes së ligjit dhe provokimit ndaj opozitës.

Kamikazja Imeraj nuk do ta shpëtojë dot Edi Ramën. Asgjë nuk e shpëton dot Edi Ramën. As drejtësia e kapur prej tij”, thuhet në njoftim.

Kryetari i PD, Lulzim Basha dhe dy funksionarët e selisë blu, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi nuk janë paraqitur sot në prokurorinë e Tiranës sipas thirrjes që kishin për orën 09:30. Në një letër drejtuar prokurorisë, thirrja e tyre konsiderohet shkelje e ligjit, pa prezantuar faktet mbi hetimin e lobimit të PD në SHBA.

“Ju nuk keni parashtruar në njoftimin tuaj asnjë fakt, që ka dalë nga hetimet, duke mos plotësuar detyrimet ligjore”, shkruan Basha, duke e mbyllur letrën me gatishmërinë për të zbatuar ligjin duke iu përgjigjur thirrjes, por duke kërkuar që prokuroria të bëjë të njëjtën gjë, duke plotësuar ftesën e saj për paraqitje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!