PD nuk regjistrohet për 13 tetorin, Paloka: Largimi i Ramës kusht kryesor

schedule19:16 - 5 Gusht, 2019

schedule 19:16 - 5 Gusht, 2019

 

Ndryshe nga sa kërkon presidenti  Ilir Meta, partia më e madhe opozitare nuk do të regjistrohet në zgjedhjet e 13 tetorit. Sakrificat presidenciale për të caktuar një datë të re në kulmin e krizës politike, nuk do të përdoren nga Partia Demokratike, e cila kërkon paraprakisht largimin e Kryeministrit Edi Rama.

Partia Demokratike nuk i përgjigjet thirrjes së Presidentit Meta për tu regjistruar në zgjedhjet e 13 tetorit. Ndryshe nga aleatët e saj, ajo nuk i drejtohet me kërkesë KQZ-së, edhe pse nënkryetari Edi Paloka shpjegon se 13 tetori është data kushtetuese dhe PD e njeh dekretin e Metës.

“Për ne dekreti i presidentit është i detyrueshëm për t’u zbatuar nga institucionet, pjesëmarrja apo jo e PD lidhet me rrethana te tjera. Për ne nuk është e rëndësishme data e zgjedhjeve, për ne të rëndësishme janë standardet”, tha Paloka.

Pikërisht tek standartet, vihet re diferenca tjetër e PD-së, si ndaj LSI-së, ashtu edhe ndaj Presidentit. Demokratët kanë kusht të panegociueshëm largimin e kryeministrit Edi Rama.

“Pozicioni i PD nuk ka ndryshuar ne asgjë, dhe as i opozitës ne përgjithësi. Sot kërkesa per largimin e Edi Ramës nuk është me vetëm e PD dhe e opozitës, janë mbi 85% e shqiptareve qe kërkojnë largimin e Ramës. Rama si kryeministër nuk mund te ulet ne tavoline me PD dhe me opozitën”, deklaroi Paloka.

Edhe pse vetë nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, PD nuk i kursen akuzat ndaj shumicës së KQZ-së, të cilës i kërkon të organizojnë zgjedhjet në 13 tetor, ku do të marrin pjesë aleatët e saj.

“Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në bazë të kërkesës së disa partive për pjesëmarrje në zgjedhje kërkoi të zhvillonte mbledhjen e KQZ. Dhe cila ishte përgjigja e Denar Bibave? Përgjigja ishte ajo e Edi Rames, që ne jemi në plazh. Dmth jo vetëm nuk zbatohet ligji dhe kushtetuta, por sfidohet me arrogancë dhe cinizëm”, tha Paloka.

PD dogji mandatet në muajin shkurt dhe prej 6 muajsh është jashtë çdo institucioni duke vendosur kusht largimin e kryeministrit, si dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme nga një qeveri tranzitore./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!