Analisti Roland Bejko deklaroi se Partia Demokratike ka humbur moralin dhe strategjinë e saj politike, duke u shprehur se emrat e rinj në parti kanë në krye një figurë të vjetër.
Sipas Bejkos, PD nuk ka më një strategji të qartë për pushtetin dhe ndryshimi i drejtimit të saj nga viti 2005 ka ndikuar në mënyrën se si perceptohet nga elektorati.
Ai tha se në vitin 2005 lideri i atëhershëm i demokratëve shihej si një shpresë për demokratët dhe më gjerë, ndërsa sot, sipas tij, situata ka ndryshuar për shkak të përballjes me akuza dhe procese hetimore.
“Këto emra të rinj kanë në krye një emër të vjetër. PD ka humbur moralin dhe strategjinë e saj. Nuk ka strategji të pushtetit dhe ka një kryetar ndryshe nga 2005, ku shihej si shpresë e demokratëve dhe jo vetëm. Askush nuk e akuzonte për 97-ën, ndërkohë që sot e kanë humbur këtë kredo, sepse është në ndjekje penale dhe në hetime të tjera.
Kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit, kërkohet dhe e kryetarit të opozitës dhe PD e ka humbur moralin e saj. Koha ka treguar që, që nga nr. 2 e poshtë, të gjithë janë në garë se kush të imitojë më mirë kryetarin e partisë. Janë matrioshka që kanë dalë nga kukulla e madhe. Zgjedhjet nuk e forcojnë demokracinë e brendshme të PD.”



