Berisha në garë me veten u rizgjodh, por kush e beson?
Sondazhit “Zëri i Shqiptarëve” në ABC News i rezultoi se 75% e tyre nuk kanë asnjë interes se çfarë ndodhi të shtunën me referendumin e PD-së.
Por çereku tjetër, shumica prej të cilëve demokratë, referendumi i Berishës i ka ndarë.
16% thanë se kryetar i PD-së duhet të jetë vetëm doktori, kurse 9% të tjerë mendojnë të kundërtën: rizgjedhja e doktorit në garë me veten është vdekja e demokracisë në PD.
Kur kanë kaluar 5 vite nga “non grata” e Berishës, arsyeja kryesore pse ai u rikthye dhe mori drejtimin e PD-së, shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk kanë asnjë interes se çfarë ndodh me të.
Megjithatë, tek demokratët, mbi 18% janë të bindur se SHBA dhe Britania e Madhe gabuan që e shpallën “non grata” doktorin, kurse 6% e konsiderojnë një goditje të rëndë për PD-në, por e pranojnë se s’ka kryetar tjetër veç Berishës.
Javën e kaluar, Shqipëria mori një lajm tjetër të mirë nga Brukseli. Miratimi i IBAR dhe qëndrimit të ndërmjetëm i hap rrugë mbylljes së grupkapitujve të negociatave.
Për 46.8%, IBAR ishte thjesht një raport teknik, që pritej të miratohej, por mori rëndësi dhe u fry kot nga akuzat e përditshme të opozitës.
29.5% të tjerë janë po kaq të sigurt se miratimi i IBAR është fjala e duhur dhe integrimi s’ndalet.
Kurse vetëm 23.7%, demokratë, besojnë se IBAR u miratua falë opozitës, edhe pse ishte opozita që prej muajit shkurt akuzonte se IBAR ishte penguar, bllokuar apo anuluar.
Ndërkohë, një aktivist shqiptar, Baki Goxhaj, pro Gazës, u deportua nga Izraeli pasi u kap në det me anije me ndihma.
Pjesa më e madhe e shqiptarëve, 45%, mendojnë se s’duhet të përzihen në atë konflikt, sepse Shqipëria ka marrëdhënie të mira si me Izraelin, ashtu edhe me Gazën.
40% të tjerë janë kundër keqtrajtimit të aktivistit shqiptar, por edhe të të tjerëve që kanë tentuar të japin ndihmën e tyre për palestinezët në Gaza.
Rreth 15% mbeten indiferentë.
Por në 1 javë, Rama ia arriti të fitojë bastin për integrimin dhe PS rritet në mbështetje në 47%, 5 më pak se 11 maji i vitit 2025.
PD, nga ana tjetër, java e referendumit me rikonfirmimin e Berishës e rrit në 23%, por 23 maji për doktorin duket më tepër si fillimi i fundit.
E vetmja që ra gjatë kësaj jave ishte mbështetja për një parti të re që s’po lind ende.
Koha ikën dhe bashkë me të edhe durimi i shqiptarëve, që shpresojnë ende në masën 30%./abcnews.al



