Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit prej gati një viti po punon për garantimin e çmimeve të përballueshme për produktet bazë të shportës, pas rritjes së tyre në mjaft vende të Bashkimit Evropian.
Zëvendësministri i Ekonomisë, Enkelejd Musabelliu, deklaroi në një intervistë për “Money Report” në ABC News se po aplikohet një qasje e dyanshme përmes platformës “Pasqyra e Çmimeve” për të nxitur transparencën dhe konsumin racional.
Paralelisht, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave po shqyrtohet zinxhiri i furnizimit dhe u është kërkuar supermarketeve e furnitorëve një listë produktesh me çmime të reduktuara deri në dhjetor.
Ai nënvizoi se transparenca ndaj konsumatorëve është detyrim ligjor dhe se do të ketë ndërhyrje direkte në rast se shitësit abuzojnë apo reklamojnë çmime të rreme.
“Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka pothuajse një vit që punon për këtë gjë. Në shumë vende të tjera të BE ka pasur një rritje të çmimeve, prandaj na është dashur që të monitorojmë se si veprojnë vendet e tjera, për të ndërhyrë dhe për të garantuar një nivel çmimesh që është i përballueshëm për qytetarët.
Kemi ardhur me një mënyrë të dyanshme, nga njëra anë është “Pasqyra e Çmimeve”, për të nxitur transparencën dhe një sjellje më racionale të konsumatorëve. Nga ana tjetër, këtu hyn në lojë edhe prodhuesit. Platforma do të synojë vetëm transparencën e çmimeve që aplikojnë shitës të ndryshëm për produktet bazë të shportës.
Ne në bashkëpunim me Ministrinë e Financave po shqyrtojmë edhe zinxhirin e furnizimit. Edhe sot e diskutuam në takimin që ne zhvilluam me supërmarketet, por edhe të furnitorëve, duhet të kemi një listë produktesh që deri në dhjetor të jenë me një çmim më të reduktuar. Në rast se ka keqpërdorim të këtij informacioni, apo ka shitës që reklamojnë çmime më të ulëta se sa janë realisht, patjetër që do të ketë edhe ndërhyrje. Transparenca për konsumatorët realë është një detyrim ligjor”, tha Enkelejd Musabelliu.

