Pas pak ditësh u duhet të ikin nga hotelet: Banorët e prekur nga tërmeti, nuk gjejnë dot shtëpi me qira

schedule16:13 - 15 Janar, 2020

schedule 16:13 - 15 Janar, 2020

Banorët e Durrësit që po jetojnë në hotele pas tërmetit ndihen të pashpresë për një strehim të shpejtë.

Afatet kohore për të qëndruar në hotele po shkojnë drejt fundit pasi sipërmarrësit kanë vendosur që në muajin mars ata të dalin pasi do përgatiten për sezonin veror.

Një pjesë ende nuk i ka dalë bonusi i qirasë dhe nuk mund të kërkojnë parapakisht banesë me qira.

“Kam nxjerrë djalin për të kërkuar shtëpi me qira në Durrës, por nuk ka gjetur gjë”, shprehet një zonjë, ndërsa një tjetër grua thotë se kanë aplikuar për bonus, por se shtëpitë me qira janë mjaft të shtrenjta.

Ndërsa një tjetër zotëri ka shpresa që do të kthehet në banesën e tij pasi ajo do riparohet.

“Mendojmë që brenda dhjetë ditësh të shkojmë tek banesa jonë sepse nuk është dëmtuar shumë”, thotë ai.

Ka dhe ndërtues që janë kujdesur vetë për banorët. Ndërtuesi i pallatit të këtij të moshuari ka marrë vetë përsipër dërgimin e tij në hotel.

“Ata që kemi blerë pallatin na morën dhe na thanë të rrimë në këtë hotel”, shprehet ai.

Durrësi ishte qarku më i dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019.

Prej ndërtimeve të dobta dhe ndërhyrjeve në strukturat e shumë godinave pati dhe humbje jetësh. Ndërsa qindra banorë janë strehuar në hotele në pritje të marrjes së bonusit të qirasë. /abcnews.al