Partia Demokratike përzgjedh kandidatët, dorëhiqen 2 kryetarë të degëve në rrethe

schedule13:00 - 1 Korrik, 2020

schedule 13:00 - 1 Korrik, 2020

Pas dakordësisë së 5 qershorit e vetmja gjë që mbante pezull konsensusin politik mes palëve ka qenë çështja e riformatimi i komisionit qendror të zgjedhjeve.

Tashmë ka një dakordësi mes forcave politike ku drafti përfundimtar është dorëzuar në Kuvend nga Damian Gjiknuri.

Gazetari Juxhin Mustafaraj raporton për abcnews.al, se ndryshimet e deritanishme janë të atilla, që nuk përbëjnë ndryshimin e një kodi të ri zgjedhor ndërkohë që përgjatë muajve në vijim, do të ketë edhe ndryshime të tjera të Kodit Zgjedhor, të cilat lidhen me riformatimin e Komisionit Zgjedhor.

Sa i takon çështjes së listave të hapura Partia Demokratike është shprehur e gatshme për këto ndryshime por në dakordësinë e arritur në Këshillin Politik, kjo çështje është konsideruar si e një rëndësie të veçantë, që për shkak se kërkon ndryshime kushtetuese, do të duhet të diskutohet në një moment të dytë të reformës.

Për sa i përket heqjes se koalicioneve zgjedhore, Partia Demokratike është shprehur kundër një ndryshimi të tillë, dhe ka hedhur akuza ndaj mazhorancës, se përmes draftit të paraqitur në parlament përmes opozitës parlamentare, po kërkon të përmbushë një dëshirë të hershme të saj.

Ashtu siç është njoftuar ditën e djeshme nga Këshilli i Legjislacionit, kjo çështje do të diskutohet deri më 30 korrik, ku do të ketë një vendimmarrje, por që gjithsesi Partia Demokratike dhe aleatët e saj janë shprehur kundër kësaj çështje.

Ndërkohë kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka ndarë grupet e punës në të gjithë qarqet e vendit, dhe të gjithë ish-deputetët janë të deleguar në zona të caktuara për të diskutuar me anëtarësinë e PD, për përzgjedhjen e kandidatëve për deputet, dhe kandidatëve për kryetar bashkie.

Partia Demokratike është duke pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar zgjedhjet e 30 qershorit.

Në udhëzimin e hartuar të Partisë Demokratike, kryetarët e degëve lokalë ndaloheshin të ishin pjesë e këtij procesi, por mësohet se 2 prej kryetarëve të partisë në rrethe kanë shprehur vullnetin e tyre për të qenë pjesë e përzgjedhjes së anëtarësisë, si kandidat për deputet, dhe do të heqin dorë nga detyra që kanë si drejtues të degëve./abcnews.al