Pandemia tkurr 200 milionë euro buxhetin e vitit 2021 në Kosovë

schedule22:10 - 18 Tetor, 2020

schedule 22:10 - 18 Tetor, 2020

Mbi 200 milionë euro më pak do të ketë buxheti i vitit 2021, i cili pritet që të shkojë në Kuvendin e Kosovës në fund të tetorit. Kjo do të jetë sfida e radhës e Qeverisë për sigurimin e votave për ta kaluar këtë projektligj, i cili parasheh që buxheti për vitin e ardhshëm të jetë 2.4 miliardë euro. Sipas zëvendësministrit të Financave, Agim Krasniqi, e rëndësishme është që brenda partnerëve qeveritarë të ketë konsensus për miratimin e këtij projektligji.

Ne brenda Qeverisë nuk jemi duke mundur që të bëjmë ndryshime të mëdha në buxhet për t’i kryer obligimet ligjore dhe këtë logjikë, duhet të kuptohet edhe në Kuvend. Ekonomia nuk mund të prodhojë numra sipas dëshirës. Ekonomia është dhe pjesa e të hyrave varet nga niveli i zhvillimit ekonomik dhe ne po e dimë në çfarë gjendje është sektori privat”, ka thënë Krasniqi, shkruan Koha.net.

Në projeksionet buxhetore për 2021 nuk parashihet ndonjë mbyllje tjetër ekonomike shkaku i pandemisë Covid-19 dhe se vlerësimet janë që do të ketë rritje ekonomike prej 4 për qind.

Por Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit thotë se duhet pasur parasysh zhvillimin e pasigurt të pandemisë dhe se buxheti për 2021 duhet të përfshijë një alokim të përgjithshëm të rezervës për masat zbutëse që mund të vendosën në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, nëse është e nevojshme.

Megjithatë, Krasniqi ka thënë se në projektbuxhet kanë paraparë që të ketë një vazhdim të programit për rimëkëmbjen. “Do të kemi pjesë të fondeve 30 milionë euro për shkaqe shëndetësore dhe pjesa tjetër, varësisht nga rrethanat ekonomike dhe nevojave, do të shohim se cilat masa nga rimëkëmbja ekonomike do t’i financojmë. Është një fond diku 150-160 milionë, që do të jetë për programin shëndetësor”, ka deklaruar Krasniqi.

I pyetur nëse do të jetë në buxhet për 2021 projekti për autostradën e Dukagjinit, Krasniqi ka thënë se ende nuk janë dorëzuar projektet nga Ministria e linjës dhe se është përgjegjësi e saj të shohë cilin projekt e ka prioritet. Por, thotë se i kanë këshilluar që prioritet t’i kenë projektet ekzistuese./ db/Abcnews.al