Një zgjidhje inovative! Kështu e ka cilësuar kryeministri sllovak Robert Fico marrëveshjen e Italisë me Shqipërinë për emigrantët.
Gjatë një vizitë në Itali, ku u takua me kryeministren Giorgia Meloni, Fico shprehu mbështetjen e tij për qëndrimet italiane në kuadër të vendimit paraprak në Gjykatën e Drejtësisë të Bashkimit Evropian mbi konceptin e një vendi të sigurt origjine.
Dy liderët theksuan rëndësinë e zgjidhjeve të tilla si ajo që Italia ka nisur me Shqipërinë, për problemin e emigracionit.
Meloni dhe Fico theksuan rëndësinë e luftës ndaj emigracionit të parregullt dhe bënë thirrje për rritje të bashkëpunimit me vendet e origjinës dhe tranzitit.
“E vlerësoj shumë qasjen pragmatike të Kryeministres suaj”, tha Fico.
Marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë vijon të zbatohet dhe aktualisht, në Qendrën e Gjadrit ndodhen rreth 50 emigrantë.
Një pjesë e atyre që kanë mbërritur në valët e mëparshme kanë zgjedhur të pranojnë riatdhesimin dhe janë kthyer në vendet e tyre të origjinës.
Autoritetet shqiptare vazhdojnë të monitorojnë me kujdes situatën dhe të sigurojnë kushte adekuate për qëndrimin e emigrantëve.
Sipas marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Italisë, në rast se emigrantët pranojnë të bëjnë riatdhesimin vullnetar, qëndrimi i tyre në Qendrën e Gjadrit mund të përfundojë edhe më herët se afati maksimal i parashikuar, duke lehtësuar kështu procedurat.