Një fëmijëri e shkatërruar nga sëmundja, dy përballje me vdekjen dhe një ëndërr që sot është kthyer në mision jete. Pali Imeraj, tropojani që ka kaluar sfida të jashtëzakonshme shëndetësore, kërkon të bëjë realitet një nismë që mund të ndryshojë jetën e qindra fëmijëve.
Në moshën 10-vjeçare, Pali u prek nga poliomieliti, një sëmundje që e la të paralizuar. Për dy vite nuk mundi të ecte, ndërsa për gjashtë muaj lëvizte vetëm sytë. Në atë kohë, ai ishte i vetmi fëmijë në Tropojë që vuante nga kjo sëmundje. Sot, kur kujton atë periudhë, Pali thotë se nuk e di çfarë e shëroi, por beson se ajri i malësisë i dha forcën për të jetuar.
Por sfidat nuk përfunduan aty. Në moshën 33-vjeçare, gjatë kohës që jetonte dhe punonte në Greqi, ai pësoi një aksident të rëndë me korentin e tensionit të lartë. Djegiet i shkaktuan dëmtime serioze dhe e lanë sërish për një kohë të gjatë pa mundur të ecte. Edhe sot, pasojat e asaj ngjarjeje e shoqërojnë në çdo hap.
Megjithatë, Pali nuk u dorëzua. Prej 12 vitesh, ai merret me prodhimin e veglave muzikore tradicionale, një pasion që e ka shoqëruar që në fëmijëri dhe që sot e ka çuar në vende të ndryshme të botës. Prej gjashtë vitesh jeton në Gjermani, ndërsa për 27 vite ka jetuar në Athinë.
Por përtej muzikës, ai ka një tjetër mision, shumë më të madh se vetja. Përmes fondacionit “Shpresa fillon këtu”, të krijuar për të ndihmuar fëmijët e prekur nga kanceri, Pali Imeraj synon të mbledhë fondet e nevojshme për ndërtimin e një spitali onkologjik vetëm për fëmijë.
Ëndrra e tij është që spitali, pasi të ndërtohet, të menaxhohet në mënyrë të përbashkët nga Shqipëria dhe Kosova, me një ndarje të barabartë, 50 me 50. Shpenzimet e trajtimit të fëmijëve, sipas propozimit të tij, do të mbuloheshin nga fonde të posaçme të dy shteteve.
“Përse Zoti më zgjodhi mua?”, është një nga pyetjet që Pali i ka bërë vetes ndër vite. Sot, ai kërkon ta kthejë përgjigjen në një mrekulli për të tjerët. Një mrekulli që nis me shpresën dhe synon t’u japë fëmijëve të prekur nga kanceri mundësinë për të jetuar, për të ëndërruar dhe për të pasur një të ardhme. Historia e Pali Imerajt është një dëshmi e forcës përballë fatkeqësive, por edhe e një njeriu që, pasi ka kaluar vetë nëpër vuajtje, dëshiron të bëjë gjithçka që fëmijët e tjerë të mos përballen të vetëm me të njëjtën betejë./abcnews.al


