Organeve të vettingut u mbaron mandati, Manja: Kërkojmë kompromisin e opozitës që të zgjaten

schedule14:01 - 16 Shtator, 2021

schedule 14:01 - 16 Shtator, 2021

Ministri i ri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka bërë me dije se do të kërkojnë zgjatjen e mandatit për dy organet e vettingut, Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerin Publik.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një deputeti në Kuvend, Manja tha se mandati i këtyre dy organeve përfundon që qershor të vitit 2022. Për të vijuar më tej procesin e vettingu, ministri tha se do të kërkojnë edhe kompromisin e opozitës për të ndërhyrë në Kushtetutë që të zgjasin mandatin, pasi maxhoranca nuk i ka votat e nevojshme.

“Një deputet ka ngritur problemin e mbarimit të mandatit të KPK. Si do të vazhdojë thotë procesi i vettingut. Sic u theksua edhe në fjalën e kryeministrit, reforma në drejtësi dhe konsolidimi i sistemit do të vazhdojë edhe përgjatë kësaj legjislature. Është e vërtetë mandati i organeve të vettingut është kushtetues. Është e përcaktuar qartë se tre organet e vettingut, mandati i KPK dhe Komisioneri Publik është 5 vjet, ndërsa KPA e ka afatin 9 vjet. Referuar momentin që dy të parët kanë filluar ushtrimin mandati i tyre mbaron më 17 qershor, 2022. Janë 801 subjekte në total për tu rivlerësuar. Janë 431 subjekte të hetuara dhe janë në proces 370. Për të garantuar vijueshmërinë si për të ruajtur standardet e arritura ne mendojmë dhe jemi në komunikim edhe me SHBA dhe BE që ky proces të përfundohet nga organet e vettingut. Do të kërkojmë edhe konsensusin e opozitës që mandati të zgjatet deri në përfundim të procesit të vettingut, deri në hetimin e plotë. E thashë në fillim, ky është mandat kushtetues dhe zgjatja e mandatit kërkon ndërhyrje në Kushtetutë. Nuk i kemi votat e nevojshme për të zgjatur mandatin, por do të kërkojmë konsensusin e opozitës. Për ne mbarimi i procesit të vettingut është garanci,” deklaroi Manja. g.v/abcnews.al