Numri dy i PE-së optimist për hapjen e negociatave për Shqipërinë

schedule20:30 - 22 May, 2019

schedule20:30 - 22 May, 2019

Numri dy i Parlamentit Europian, Dimitris Papadimulis është shprehur optimist për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Në një intervistë për TV Klan, ai i bëri thirrje Tiranës zyrtare që të shfrytëzojë kohën e mbetur për të implementuar reformat dhe për të zgjidhur problemet e minoritetit grek.

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian, Dimitris Papadimoulis, thotë se ai është optimist sa i përket hapjes së negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në BE. Papadimoulis ka thënë për TV Klan se Tirana duhet të shfrytëzojë kohën e mbetur deri në fund të qershorit, për të bërë hapa në drejtim të zgjidhjes së krizës politike, të avancojë reformat, por edhe të trajtojë probleme që lidhen me minoritetin. Gazetari i TV Klan në Athinë, Robert Goro, e pyeti zotin Papadimoulis nëse ai i bashkohet optimizmit se Shqipëria do të marrë hapjen e negociatave në samitin e qershorit.

Dimitris Papadimoulis, zv.president i PE:  “Qeveria Tsipras dhe unë personalisht, si zv/president i Parlamentit Europian, jemi pozitivë sa i përket hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Por është e rëndësishme që gjatë kohës që ka mbetur (deri në fund të qershorit), të bëhen hapa për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri, për trajtimin e problemeve të minoritetit grek (të drejtat e pronës, etj.), dhe gjithashtu të avancojë disa reforma që përfshihen në kartën e Kopenhagës. Gjithsesi, fqinjët tanë shqiptarë mund të jenë të sigurt se Greqia, me qeverinë Tsipras është një mike dhe mbështetëse e anëtarësimit të Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit Perëndimor në BE”.

Klan TV: Ndërkaq, në Shqipëri opozita ka djegur mandatet parlamentare, refuzon pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale, dhe në anën tjetër kryeministri Rama insiston që zgjedhjet të zhvillohen. Gjithë këto, a mund të influencojnë në vendimin e Brukselit?

Dimitris Papadimoulis, zv.president i PE:  “Druaj se po. Dhe përgjithësisht, refuzimi i partive të opozitës për të marrë pjesë në procesin parlamentar dhe demokratik, nuk është një shenjë e mirë, nuk interpretohet si gjë e mirë nga Brukseli. Do të thoja që vetë forcat politike në Shqipëri të gjejnë një mënyrë që ta shtensionojnë këtë krizë dhe mënyra më e mirë është pjesëmarrja në proceset demokratike”./ABC News Albania 24/7