“Nuk fluturojmë”, Shehi: Vuajtëm në pjesën e parë, ende nuk jemi të plotë

schedule15:23 - 3 Mars, 2021

schedule 15:23 - 3 Mars, 2021

Tirana mori fitoren e dytë radhazi, këtë herë në shtëpi kundër Bylisit. Trajneri Orges Shehi ishte i kënaqur me rezultatin, pasi kështu bardheblutë mbeten në garë për një vend në kupat e Europës. Durrsaku, pas ndeshjes foli në emisionin Gol pas Gol në Supersport dhe u shpreh kështu:

“Kur mungojnë lojtarë nuk mund të jesh i qartë. Në pjesën e parë na vunë në vështirësi dhe më pas e studiuam dhe e shmangëm presionin e Bylisit. Më vjen mirë që shënuam edhe pse nuk po dilnim rrjedhshëm.

E rëndësishme është të dalësh para portës, nëse sulmuesit shënojnë janë më të qetë, por edhe ata do të shënojnë. Nëse shkon me shumë lojtarë në zonën kundërshtare, shënojnë edhe mesfushorët apo mbrojtësit. Torassa, Cale, Batha mungonin dhe pa ta nuk është e lehtë. Kemi kërkuar gjithmonë që të kemi ekuilibër dhe të mos rrezikojmë mbrapa.

Në një skuadër kampione pritshmëritë janë të mëdha. E rëndësishme është te jemi 100%, nuk jemi ende të plotë dhe nuk mund të shprehemi plotësisht. Kundërshtarët janë para, ne do bëjmë maksimumin për t;i arritur. Do jemi me këmbë në tokë dhe nuk fluturojmë nga euforia. Shohim ndeshjen e ardhshme”, u shpreh Shehi. /abcnews.al