Një zyrtar i lartë amerikan ka dhënë detaje mbi përmbajtjen e një memorandumi mirëkuptimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke zbuluar pikat kryesore të një marrëveshjeje 14-pikëshe që synon uljen e tensioneve dhe ndalimin e konfliktit.
Sipas informimit të publikuar nga rrjeti amerikan NBC News, marrëveshja përfshin një sërë angazhimesh të rëndësishme në fushën ushtarake, ekonomike dhe bërthamore.
Një nga pikat kryesore është ndalimi i menjëhershëm dhe i përhershëm i operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë edhe Libanin.
Dokumenti parashikon gjithashtu hapjen e Ngushticës së Hormuzit, ku Irani do të garantojë kalimin e sigurt të anijeve tregtare për një periudhë fillestare 60-ditore, në bashkëpunim me Omanin dhe vendet e Gjirit, me synimin për një marrëveshje afatgjatë.
Në aspektin bërthamor, SHBA dhe Irani bien dakord që Teherani të mos zhvillojë kurrë armë bërthamore, ndërsa procesi i heqjes së materialit të pasuruar do të zhvillohet nën mbikëqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).
Marrëveshja parashikon gjithashtu heqjen graduale të bllokadës detare amerikane menjëherë pas nënshkrimit, me përfundimin e plotë brenda 30 ditëve.
Palët angazhohen të negociojnë një marrëveshje përfundimtare brenda 60 ditëve, me mundësi zgjatjeje në rast dakordësie të ndërsjellë.
Një tjetër element i rëndësishëm është krijimi i një fondi zhvillimi prej të paktën 300 miliardë dollarësh, në bashkëpunim me partnerë rajonalë, për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të Iranit.
Sipas draftit, SHBA-të gjithashtu zotohen të heqin të gjitha sanksionet kundër Republikës Islamike të Iranit, duke shënuar një ndryshim të madh në politikën e deritanishme të Uashingtonit ndaj Teheranit.
Marrëveshja pritet të jetë pjesë e një procesi më të gjerë negociues që synon stabilizimin e marrëdhënieve dhe uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme.



