Ëndrra e tij nisi në fëmijëri, por në moshën 14-vjeçare u kthye në realitet, kur u shkëput për herë të parë nga toka dhe fluturoi i vetëm. Xhonatan Islami, instruktori aeronautik që e ka kthyer qiellin në pjesë të pandashme të jetës së tij, rrëfen pasionin që lindi falë të atit dhe u shndërrua në një rrugëtim plot adrenalinë, sfida dhe disiplinë.
Dy muaj stërvitje intensive i paraprinë atij fluturimi të paharrueshëm, moment që, siç tregon, nuk do të fshihet kurrë nga kujtesa e tij. Sot, nga fluturimet e natës te akrobacitë ajrore dhe shfaqjet përpara publikut, Xhonatani përballet me sfida që kërkojnë përqendrim maksimal, përgatitje dhe respekt të pakompromis për sigurinë.
Por jeta e tij nuk është vetëm qielli dhe adrenalina. Xhonatani u bë i njohur për publikun edhe përmes eksperiencës në “Big Brother”, ku qëndrimi i shkurtër, nominimi automatik dhe eliminimi i dyfishtë e vendosën përballë një realiteti krejt ndryshe nga ai që njihte. “Jam shpirt i lirë”, thotë ai, duke kujtuar vështirësinë e izolimit dhe ndryshimet që erdhën pas daljes nga shtëpia.
Në “ABC e Mëngjesit”, Xhonatani rrëfen marrëdhënien me të atin, emocionet e fluturimit të parë, rrezikun dhe përgjegjësinë në ajër, por edhe jetën para dhe pas “Big Brother”. Një histori ku ëndrra për të fluturuar dhe përvoja e famës televizive takohen në rrugëtimin e një njeriu që kërkon gjithmonë të sfidojë veten./abcnews.al


