Kolonel Sami Neziri e cilësoi si simbolike rezolutën e diskutuar në SHBA, duke vlerësuar se ajo nuk ka gjasa të hyjë në fuqi dhe lidhet kryesisht me përplasjet e brendshme politike në prag të zgjedhjeve të mesmandatit.
Sipas Nezirit, iniciativa përbën pjesë të një lufte politike të brendshme, ku po tentohet të krijohet një paralelizëm me Luftën e Vietnamit.
Koloneli vlerësoi se negociatat nuk arritën rezultatet e pritshme dhe, sipas tij, vetëm sa i krijuan mundësi Teheranit të vazhdonte programin e vet.
Neziri komentoi edhe çështjen e Ngushticës së Hormuzit, duke thënë se përdorimi i saj si instrument presioni nga Irani bie ndesh me parimet e së drejtës ndërkombëtare detare.
“Është luftë e brendshme, duke marrë parasysh edhe zgjedhjet e mesmandatit.
Kjo rezolutë është simbolike, nuk ka ndonjë shans të hyjë në fuqi. Është luftë politike dhe duan të bëjnë një paralelizëm me luftën në Vietnam.
SHBA nuk ka humbur në njerëz dhe në Vietnam një prej problemeve ishte humbja në njerëz.
Negociatat dështuan, thjesht bënë që Irani të vazhdonte programin. Hormuzi është diçka që ka lindur më pas dhe e përdor Irani, është në kundërshtim me Konventën për Detin.
Irani do të vijojë me të njëjtën logjikë. Nëse do të arrijë një marrëveshje me kushtet e SHBA-së, regjimi i brendshëm në Iran do të jetë i dështuar.”
Eksperti i zhvillimeve ndërkombëtare, Lulzim Veliu, tha se SHBA dhe Trump nuk do të tërhiqen nga objektivat e tyre strategjikë pa arritur realizimin e aspiratave që lidhen me çështjen e uraniumit dhe kontrollin e aspekteve kyçe të programit bërthamor.
Eksperti theksoi se një nga skenarët e diskutuar më herët në qarqet diplomatike dhe të sigurisë është transferimi i uraniumit për ruajtje në Rusi.
“SHBA dhe Trump nuk do të kenë një tërheqje pa realizimin e aspiratave të tyre, uraniumin apo marrjen në tërësi të asaj pjese.
Një nga opsionet e mundshme që është folur më parë është që uraniumi të kalojë dhe të ruhet në Rusi. Kjo mund të ishte një nga mundësitë në negociatat e ardhshme që lufta të përfundojë.”


