Diplomati Sokol Gjoka, në një intervistë në “News Line” në ABC News, komentoi konfliktin në Lindjen e Mesme. Gjatë intervistës, u ndal edhe tek sulmet e SHBA në Iran.
Gjoka u shpreh se forca e përdorur, ishte i vetëm opsion për të mos lejuar Iranin të kthehej në një kërcënim të armëve bërthamore.
“Përgatitja e Iranit me armë bërthamore, ishte me shumë rrezik. Ndaj dhe komuniteti ndërkombëtar ishte i angazhuar që Irani të mos shkonte deri në këtë fazë. Pra ishte angazhuar për të mos lejuar armatimin bërthamor dhe mbeti forca për të ndërhyrë. Pasi bisedimet u ndërprenë dhe iu hoq një shans negociatave diplomatike dhe iu la vend sulme. Pra veprimi ushtarak ka qenë i dedikuar si nga ana e Izraelit ashtu edhe nga ana e SHBA”, tha ai.
Gjatë intervistës, nënvizoi se ka gjasa që Irani të kundërpërgjigjet, por megjithatë shtoi se Irani nuk ka më hapësira që të negociojë, por sipas tij duhet të përballet me kushte kapitullimi.
“Irani ose do dakordësohet me kushtet e vendosura nga SHBA në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar, dhe po ashtu duhet të heqë dorë nga ky program. Irani do përpiqet të krijojë aleancat e ngushta”, tha më tej ai.
Gjithashtu diplomati Gjoka shtoi se pas sulmit nga SHBA, Irani duhet të ulet në tavolinën e bisedimeve.
“Irani në një situatë të tillë, edhe në paktin strategjik që ka me Federatën Ruse nuk thuhet se dy vendet duhet të mbrojnë njëri tjetrin në rast të sulmeve nga palë të tjera. Në të tilla kushte, besoj se Presidenti Putin do ta shfrytëzojë situatën në interes të Federatës Ruse. Mund t’i kërkojë SHBA-së të plotësojë disa nga kushtet e tij në raport me Ukrainën”, tha ai.
Sa i përket deklaratave të Trump për një ndryshim të regjimit në Iran, ai tha se një mund të jetë një skenar i mundshëm.
“Irani ka një sistem disi të çuditshëm me shumë elementë të sundimit të një personi në atë vend. Nëse Irani nuk pranon të dakordësohet me kushtet e SHBA dhe komunitetin ndërkombëtar dhe nëse do reagojë ushtarakisht nda bazave amerikane, edhe ky opsion besoj është i mundshëm”, nënvizoi ai.
/abcnews.al/