“Arena Kombëtare” ka prodhuar shumë debate, që në fillim kur u projektua. Kundërshtime pati për dhënien e pronës publike privatit, që bëri një investim që nuk e kap vlerën e truallit të ndërtimit në atë zonë. Një stadium me kullë, që shumëkush e kundërshtoi.
Tani është realitet dhe ka debate edhe për emrin. Ta mirëmbash një impiant të tillë kushton dhe FSHF si zgjidhjen e vetme ka gjetur shitjen e emrit. “Air Albania Arena” do të jetë emri i ri i stadiumit dhe pritet që gjithçka të zyrtarizohet. Ky emër sigurisht ka sjellë debate.
Nga politika ka pasur reagime, fillimisht për mosplotësim të kushteve që kjo kompani ka për ta fituar këtë ankand. Së fundmi ai që akuzon është Ylli Manjani, ish-ministri i Drejtësisë. Juristi dhe politikani i njohur në vend thekson se stadiumi i ri më mirë të quhet “Erdogan” dhe arsyeton mendimin e tij përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”.
“Stadiumi i plotëson të gjitha kushtet që të quhet Erdogan, jo Air Albania! Është ndërtim i dhunshëm; i sajuar; i ndërtuar për qejf të udhëheqësit; me pare pa hesap; me kontrata të dyshimta; me stil e mall turk dhe kundër dëshirës së qytetarisë, pra fiks ERDOGAN.
Do kishte shumë më kuptim emri Erdogan sesa budallallëku Air Albania, rast unik ky që stadiumit i vihet emri i një kompanie ajrore! Do kishte pa dyshim më shumë kuptim emri simbol i dhunës Erdogan, sesa emri i qytetarisë Qemal Stafa. Nejse kështu ndodh kur e ke kryeministrin gjys-artist e gjys-sportist. Nuk është tamam për asnjërën…”, shkruan Manjani. /abcnews.al


