Reshjet e borës vijojnë për të katërtën ditë në një pjesë të vendit. Edhe pse situata duket në përmirësim, ka shumë fshatra të izoluara, që u mungon ushqimi për bagëtitë, e që nuk kanë energji elektrike.
Korçë
Në juglindje situta nga moti duket në përmirësim, por problem mbeten zonat e izoluara nga bora. Në Mokërr në Pogradec, prej 4 ditësh mungon energjia elektrike dhe po prej kaq ditësh procesi mësimor është pezulluar. Probleme me energjine kanë edhe disa fshatra të thellë në Kolonjë, Korçë dhe Maliq. Rrugët nacionale janë të qarkullueshme, përveç rrugës që të çon në Dardhë, në të cilën lëvizet vetëm me zinxhirë.
Elbasan
Në Elbasan dhe pse ka vazhduar të bjerë borë segmentet nacionale janë të hapura, por në Qafthanë drejtuesit e automjeteve duhet të lëvizin me shumë kujdes për shkak të ngricave dhe terrenit të rrëshqitshëm. Aksi nacional që lidh Librazhdin me Peshkopinë dhe Fushë Studen është i bllokuar. Zonat e thella malore, gjithashtu janë të bllokuara dhe nuk po zhvillohet procesi mësimor. Situata po rëndohet dhe banoret kanë nevojë për ndihmë mjekësore dhe energji elektrike. Grupet e punës janë në terren, por është e vështirë që të çahet dëbora dhe ne fshatra ka nisur të ketë probleme edhe me bazën ushqimore për bagëtitë.
Peshkopi
Trashësia e borës në qytetin e Peshkopisë arriti deri në 50 cm. Në zonat e thella si Lura, Selishta, Kalaja e Dodës, në Dibër, Xibri në Mat, Ternova, Martaneshi apo Klenja në Bulqizë trashësia kalon mbi 1 metër. Një pjesë e fshatrave që ishin afër qyteteve lëvizin, por pjesa më e madhe akoma janë të izoluar. Bashkitë nuk kanë mjete që të mund të hapin gjithë rrugët e fshatrave dhe po presin që bora të shkrijë vetë. Të izoluara plotësisht janë Njësia Administrative Lurë, fshatrat e Selishtës, Kalasë së Dodës, Sllovës, Melanit e Luznisë. Disa banorë të fshatrave Venisht dhe Dipjake kanë marrë lopatat dhe kanë nisur ta pastrojnë vetë rrugën e fshatit deri tek rruga kryesore. Në shumë shkolla procesi mësimor është ndërprerë.
Kukës
Edhe në Kukës nisi ndërprerja e procesit mësimor për të gjitha shkollat dhe kategoritë. Vendimi i DAR Kukës erdhi për shkak të uljes së numrit të frekuentuesve dhe mos sigurimit të transportit pëer mësuesit në zonat e thella si pasojë e reshjeve të borës. Reshjet e borës vijojnë herë pas here, por jo me intensitet të lartë, kurse temperaturat kanë pësuar një rritje të konsiderueshme duke kaluar në vlerat pozitive. Rruga e Kombit ka akses të vazhdueshëm dhe qarkullimi nuk është ndërprerë. Gjatë 24 orëve të fundit janë hapur rrugët që lidhin Kukësin edhe me njësitë administrative Malzi, Topojan, Terthore, Kolsh, Shtiqen,Bicaj, por vijojnë të jenë të bllokuara Arrni, Kalisi, Bushtrica, Grykecaja për të cilat po punohet. /abcnews.al