Shkodër
Zonat malore të Shkodrës janë të mbërthyera nga stuhitë e borës.
Në disa fshatra të thella mungon energjia elektrike. Rrugët drejt Malësisë së Madhe apo drejt Thethit monitorohen megjithëse, reshjet i bllokojnë për një kohë të gjatë.
Ushtria dhe Emergjencat Civile vazhdimisht ndërhyjnë për banorët që kërkojnë ndihmë.
Situata paraqitet normale në qytetin e Shkodrës.
Kukës
Pasditen e së enjtes në Kukës pati reshje të lehta shiu, të cilat u shoqëruan me rritje të temperaturave. Megjithatë, sot nuk u zhvillua procesi mësimor në këtë qytet. Rruga e Kombit ka akses të vazhdueshëm dhe qarkullimi nuk është ndërprerë.
Gjatë orëve të fundit janë hapur rrugët që lidhin Kukësin edhe me njësite administrative Malzi, Topojan, Tërthore, Kolsh, Shtiqen, Bicaj, por vijojnë të jenë të bllokuara Arrni, Kalisi dhe Bushtrica, për të cilat po punohet.
Elbasan
Në Elbasan edhe pse ra borë gjatë ditës, segmentet nacionale janë të hapura, por në Qafethanë drejtuesit e automjeteve duhet të lëvizin me shumë kujdes për shkak të ngricave dhe terrenit të rrëshqitshëm. Aksi nacional që lidh Librazhdin me Peshkopinë dhe Fushë Studen është i bllokuar.
Zonat e thella malore, gjithashtu janë të bllokuara dhe nuk po zhvillohet procesi mësimor. Banorët bëjnë vazhdimisht apel për ndihmë mjekësore. Ndërsa ne disa fshatra ka nisur të ketë probleme edhe me bazën ushqimore për bagëtitë.
Korçë
Në juglindje, situata nga moti duket në përmirësim, por problem mbeten zonat e izoluara nga bora.
Në Mokër në Pogradec, prej 4 ditësh mungon energjia elektrike dhe po prej kaq ditësh, procesi mësimor është pezulluar. Probleme me energjinë kanë edhe disa fshatra të thella në Kolonjë, Korçë dhe Maliq.
Rrugët nacionale janë të qarkullueshme, përveç rrugës që të çon në Dardhë, në të cilën lëvizet vetëm me zinxhirë.
Peshkopi
Në zonat e thella në qarkun e Dibrës si Lura, Selishta, Kalaja e Dodës, Xibri në Mat, Ternova, Martaneshi apo Klenja në Bulqizë, trashësia e deborës kaloi mbi 1 metër.
Banorët e një pjesë e fshatrave që ishin afër qyteteve mund të qarkullojnë, por pjesa më e madhe e fshatrave të Dibrës janë akoma janë të izoluar. Forcat e Bashkisë po punojnë me 3 mjete fadroma dhe 1 borëpastruese për të bërë të mundur hapjen e këtyre akseve rrugore rurale të Bashkisë Dibër. Në shumë shkolla, procesi mësimor është ndërprerë. /abcnews.al