Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policia e Shtetit është çelur zyrtarisht fushata “Për monitorimin ajror 2026”, një iniciativë tashmë e konsoliduar që synon parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike përmes bashkëpunimit operacional dhe përdorimit të teknologjive të avancuara.
Drejtori i Përgjithshëm, Skënder Hita, gjatë ceremonisë së hapjes theksoi se lufta kundër narkotikëve mbetet një betejë e drejtpërdrejtë edhe për mbrojtjen e së ardhmes së shoqërisë. Ai vlerësoi bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë si një element kyç për rezultate konkrete në terren.
Sipas autoriteteve, risitë e fushatës për vitin 2026 përfshijnë rritje të numrit dhe orëve të fluturimeve monitoruese, shtim të personelit të angazhuar si dhe përdorim më të gjerë të teknologjive të avancuara për vëzhgimin ajror dhe identifikimin e zonave me risk.
Në ceremoninë e zhvilluar në Tiranë ishte i pranishëm edhe delegacioni italian, i kryesuar nga Lorenzo Bucossi. Ai vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve si një model të konsoliduar partneriteti policor dhe ftoi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për një vizitë zyrtare në Itali, me synim forcimin e mëtejshëm të koordinimit operacional.
Gjatë fjalës së tij, Bucossi nënvizoi rëndësinë e profesionalizmit dhe besimit të ndërsjellë në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Ndërkohë, gjeneral brigade Franzese vlerësoi rezultatet e arritura gjatë fushatave të monitorimit ajror, duke theksuar gatishmërinë e Policisë së Shtetit për të verifikuar shpejt çdo koordinatë të raportuar dhe për të ndërhyrë në mënyrë efikase për asgjësimin e parcelave të kultivuara me bimë narkotike.
Autoritetet theksuan se bashkëpunimi ndërkombëtar dhe përdorimi i teknologjisë moderne mbeten shtylla kryesore të strategjisë për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të lëndëve narkotike në vend.


