Mesazhi i Presidentit për politikën: Asnjë kompromis me atentatin kushtetues

schedule11:29 - 7 Shtator, 2019

schedule 11:29 - 7 Shtator, 2019

Presidenti Ilir Meta, përmes një video nga mitingu i vitit 2008, kur drejtonte LSI-së, i ka përcjellë një mesazh politikës se nuk do të lejojë asnjë kompromis që cënon Kushtetutën e vendit. Kreu i Shtetit risjellë në vëmendje momentin kur ai kundërshtonte marrëveshjen e 21 prillit mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të PS, Edi Rama, nga e cila ndryshoi thellësisht Kushtetuta e Shqipërisë.

Reagimi i fundit i Metës vjen në një kohë kur faktori ndërkombëtarë ka bërë thirrje të vazhdueshme  që qeveria dhe opozita të ulen në dialog për të zgjidhur krizën politike në vend dhe të nisin nga puna për reformën zgjedhore.

Mesazhi i Presidentit për të mos lejuar cënimin e Kushtetutës nënkupton se ai nuk do të pranojë një marrëveshje të re politike mes Ramës dhe Bashës, që cënon sërish Kushtetutën si në vitin 2008.  Ndërkohë, përtej krizës politike, mazhoranca ka ngritur një Komision Hetimor për shkarkimin e Presidentit. Kreu i Shtetit ka konfimuar se do të jetë i pranishëm para këtij Komisioni në seancën dëgjimore që është planifikuar të zhvillohet të paraditen e së hënës. /ABC News Albania 24/7