Memorandumi për FBI-në, demokratët sfidojnë Trump

schedule22:36 - 5 Shkurt, 2018

schedule 22:36 - 5 Shkurt, 2018

Demokratët në Shtetet e Bashkuara kanë vendosur t’i përgjigjen nismës së presidentit Trump, që sipas tyre diskretitoi FBI-në, duke kërkuar publikimin e një varianti të dytë të memorandumit të deklasifikuar prej tij javën e kaluar.

Një panel anëtarësh të Kongresit amerikan ka vendosur të shqyrtojë publikimin e variantit demokrat të memorandumit të publikuar nga republikanët, që akuzonte FBI-në për hetime të paragjykuara në dëm të presidentit Trump. Demokratët deklarojnë se një dokument prej 10 faqesh vë në dukje të metat dhe defektet e variantit të publikuar nga kolegët republikanë. Memorandumi akuzon FBI-në dhe Departamentin e Drejtësisë se kanë përdorur prova të pabaza për të siguruar një mandat për përgjimin elektronik të këshilltarit të Trump, Carter Page, në Tetor të 2016-s.

Sipas tyre, dosja e këtij rasti ishte hartuar në përpjekje për të hedhur baltë ndaj Trump, për të favorizuar fushatën e rivales së tij, Hillary Clinton. Komisioni për shërbimet sekrete pritet të mblidhet për të vendosur nëse do të bëjë publik dokumentin e dytë. Kreu i grupit demokrat në Senat, Chuck Schumer, i ka shkruar presidentit Trump, duke i thënë se bëhej fjalë për një çështje e “drejtësisë themelore” që ai të aprovojë publikimin e variantit të dytë të memos brenda një periudhe kohore prej 5 ditësh.

Gjithashtu, senatori i ka bërë thirrje presidentit të tregojë se publikimi i dokumentit të tij pak ditë më parë nuk kishte si qëllim diskretitimin e Departamentit të Drejtësisë, që po heton lidhjet e dyshuara me Rusinë. “Nëse nuk publikohet, atëherë do të konfirmohet frika më e madhe e popullit amerikan. Amerikanët duhet t’i shohin të dyja anët e medaljes dhe të bëjnë gjykimin e tyre”, ka thënë Schumer./abcnews.al