Mediat greke: Tsipras do të takohet me Ramën në Korçë

schedule14:40 - 20 Mars, 2018

schedule 14:40 - 20 Mars, 2018

Mediat greke raportojnë se kryeministri grek, Aleksis Tispras, do të vizitojë Shqipërinë nga 6 deri më 8 Prill. Ai do të takohet në Korçë me shefin e qeverisë shqiptare, Edi Rama. Këto raportime vijnë pas deklaratës së Tsipras se marrëveshja me Shqipëri për detin do të dërgohet në Parlamentin grek brenda Prillit.

Mediat greke kanë zbuluar detaje lidhur me vizitën e paralajmëruar kohë më parë të kryeministrit Aleksis Tsipras. “To Vima” në një shkrim të gjatë, ku evidenton problemet e shumta të koalicionit qeveriatar lidhur me marrëveshjen për detin me Shqipërinë dhe çështjen e emrit me Shkupin, nënvizon se Tsipras do të kalojë pashkët në qytetin e Korçës. Kryeministri grek do të vizitojë Shqipërinë nga data 6 deri në 8 Prill.

“Takimi i dy krerëve të qeverive është në kontekstin e kontakteve të vazhdueshme të palës greke me vendet fqinje, duke pretenduar një rol dominues në Ballkan si vendi më i fuqishëm i BE-së në rajon”, shkruan gazeta e njohur “To Vima”.

“Ne duhet ta justifikojmë rolin e Greqisë si një forcë udhëheqëse në Ballkan, por gjithashtu si një shtyllë stabiliteti në rajonin më të gjerë”, tha Alexis Tsipras disa javë më parë.

Gjithashtu raportimi i mediave greke përforcohet dhe më shumë nga biseda mes kryeministrit grek dhe kryetarit të partisë “To Potami”, Stavros Teodorakis. Ky i fundit bëri me dije se Tsipras është shprehur se marrëveshja eventuale me Shqipërinë sa i përket detit do të mund t’i paraqitet Parlamentit grek brenda muajit Prill.

Ndërkohë, kjo do të jetë hera e parë që Aleksis Tsipras do të vizitojë Shqipërinë si kryeministër i Greqisë. Raportimet për këtë vizitë, erdhën pasi Presidenti Ilir Meta i dha plotfuqinë ministrit të Jashtëm, Dimtir Bushati, për të negociuar për çështjen e detit me Athinën./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!