Mediat greke: Presioni i Tsipras gjunjëzon Ramën

schedule20:00 / 05/04/2019

Duke komentuar telefonatën Rama-Tsipras, mediat greke shkruajnë në edicionet e së premtes se presioni i kryeministrit grek ka patur efekt tek qeveria shqiptare, e cila sipas tyre ka ndryshuar qëndrim sa i takon ligjit për minoritetet dhe pronat në bregdet, rast i cili do të diskutohet edhe në OKB.

Mediat greke shkruajnë se kryeministri vendas Aleksis Tsipras shfaqet i vendosur të zgjidhë të gjithë problemet me Shqipërinë. Kështu vë në dukje gazeta e madhe greke, Ethnos, që e titullon ballinën e të premtes “Pas vizitës në Shkup Tsipras telefonon Ramën”. Sipas gazetës, qeveria tha se Tsipras e Rama gjatë bisedës telefonike, diskutuan mbi reformat që duhet të realizojë Tirana për t’u hapur negociatat e anëtarësimit në BE.

Mirëpo, shton gazeta, në mënyrë informale qeveria njoftoi se kryeministri grek u fokusua në VKM-në për pronat në bregdetin e Jonit dhe për aktet normative të ligjit mbi minoritetet. Gazeta, duke iu referuar burimeve diplomatike, njofton se qeveria shqiptare ka vendosur që pronat e diskutueshme do të regjistrohen nga pronarët dhe ato që do të mbeten pa pronarë do të kalojnë në administrimin e ministrisë së turizmit.

Sipas të përditshmes greke, kjo ka ndodhur menjëherë pas bisedës telefonike Tsipras – Rama. Ethnos e paraqet këtë zhvillim si rezultat të paralajmërimit që Tsipras i bëri Tiranës para disa ditësh, nga Bukureshti. Ndërkaq, sipas gazetës Ta Nea, çështja e pronave të minoritarëve do të diskutohet edhe në OKB, dhe madje me iniciativë të qeverisë gjermane.

Ta Nea u reformohet burimeve të veta, sipas të cilave Berlini ka paraqitur një paketë me katër pyetje, në kuadër të sesionit të 33-të vlerësimit periodik të vendeve anëtare të Kombeve të bashkuara. Sipas Ta Nea-s, një nga pikat lidhet me të respektimin e të drejtës së pronës në përgjithësi dhe në veçanti sa zbatohet kjo e drejtë për minoritetet.

 Analistët grekë vërejnë se ditët e fundit po bëhen përpjekje nga të dy palët për ç’tensionimin e atmosferës ndërmjet Athinës dhe Tiranës. Analistët ndërkaq theksojnë se duhet pritur, për t’u bindur që, siç thonë, Rama  nuk ndryshon sërish qëndrim. Gjithsesi, analistët mbeten skeptikë nëse negociatat e bllokuara dypalëshe do të zhbllokohen e finalizohen para mbajtjes së zgjedhjeve të dyfishta në muajin maj.

Por ata nënvizojnë se është koha që të dy palët të ulen seriozisht në tryezën e bisedimeve për zgjidhjen e problemeve që gjithsesi nuk kanë peshën e kontestit që Athina kishte me Shkupin dhe u zgjidh me marrëveshjen e Prespës./abcnews.al

schedule20:00 / 05/04/2019