Pele apo Maradona? Messi apo Ronaldo? Cili është më i miri i të gjitha kohërave në futboll? Kjo pyetje nuk ka patur asnjëherë një përgjigje përfundimtare, ndërsa gjithmonë është shoqëruar me polemika.
Nuk mund të ndodhte ndryshe edhe me renditjen e fundit të Shoqatës Ndërkombëtare të Historisë dhe Statistikave të Futbollit.
Emri është prestigjoz, por mënyra e votimit le vend për diskutime. Kjo pasi 25% e votave vjen nga gazetarët sportivë, ndërsa 75% nga votimi në rrjet i tifozëve, pa specifikuar kritere të detajuara si përshembull golat apo trofetë e fituar.
Diskutimet do të vijojnë, por sipas kësaj renditjeje vendin e parë si futbollisti më i mirë në histori e mban Lionel Messi.
Sulmuesi argjentinas, I cili është ende në aktivitet le pas dy legjenda të futbollit si Pele dhe Maradona.
Këta të fundit, për dekada me radhë kanë mbajtur gjallë këtë debat të zjarrtë.
Pesësja e parë sipas këtij klasifikimi plotësohet me Cristiano Ronaldo dhe një tjetër emblemë e futbollit si Johan Cruyff.
Duke vijuar më poshtë në renditje, janë përfshirë yje të tjerë të mëdhenj të së shkuarës si Ronaldo “fenomeni”, Zinedin Zidan, Franz Beckenbauer, Alfredo Di Stefano dhe Ronaldinho.