BRUKSEL- Një ditë e rëndësishme për Shqipërinë në rrugën drejt integrimit evropian. Vendi ynë mbylli sot tre grupkapitujt e parë të negociatave me Bashkimin Evropian, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit.
Në konferencën për mediat pas Konferencës së Përbashkët Ndërqeveritare Shqipëri-BE, komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria dhe shtoi se kjo po i motivon dhe vendet e tjera.
Duke e cilësuar këtë një ditë të veçantë, Marta Kos tha se përparimi i Shqipërisë po krijon një energji pozitive edhe në vendet e tjera kandidate për anëtarësim.
“Sa më shumë që vendi i afrohet fundit të pjesës teknike të negociatave për anëtarësim, aq më shumë mund të përshpejtohet procesi. Ne mbështesim Malin e Zi për përmbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2026.
Do të shohim se sa shpejt do të ecë procesi i ratifikimit dhe më pas ne mbështesim vizionin e qeverisë shqiptare për të mbyllur kapitujt deri në fund të vitit 2027. Na duhet që të gjithë kandidatët, së pari, të japin rezultate. Pastaj duhet që edhe Komisioni Evropian të nxisë ekipin gjatë gjithë kohës. Me të gjithë bashkëpunëtorët duhet të japim më shumë rezultate. Ne po e çojmë përpara procesin e anëtarësimit. Po e bëjmë këtë në mënyrën më të shpejtë dhe në mënyrën më të mirë të mundshme.
Ditë veçantë, sepse na motivon të gjithëve. Shoh energjinë e veçantë, që po shpaloset edhe në vendet e tjera kur Shqipëria evoluon, ecën përpara, edhe kandidatet tjera janë të motivuar. Pres që kjo energji pozitive të na japë më tepër energji për konferenca e tjera ndërqeveritare.”, tha ajo./abcnews.al



