Mbahet në Tiranë turneu ndërkombëtar “Tenis Europe U-16 Telekom Open”

schedule14:30 - 17 Shtator, 2019

schedule 14:30 - 17 Shtator, 2019

Krahas sporteve popullore si futbolli, basketbolli apo volejbolli, edhe tenisi po kthehet në një sport te preferuar nga të rinjtë. Për këtë arsye kryebashkiaku i  Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se do të mbështesë krijimin e hapësirave të posaçme për të luajtur tenis.

Fusha te ngjashme tenisi do të krijohen dhe në hapësirat publike në Tiranë. Kryebashkiaku Erion Veliaj tregoi synimin e tij pasi ndoqi finalet e ndeshjeve për meshkuj dhe femra të turneut “Tenis Europë U-16 Telekom Open”.

“Do të vazhdojmë me hapësira tenisi siç kemi bërë tek shkollat “Petro Nini”, “Vasil Shanto”, “Ismail Qemali”, do të marrim shumë shpejt edhe hapësirat e tenisit tek Liqeni i Tiranës. Besoj se do të kemi fusha cilësore tenisi, ku fryma e mirë që ka filluar në Parkun Kombëtar të Sporteve, të mund të shpërndahet nëpër gjithë qytetin”, tha ai, gjatë ceremonisë së shpërndarjes së çmimeve për turneun ndërkombëtar tëtenisit, që u mbajt në Tiranë në Qendrën Kombëtare të Tenisit “National Sport Park”.

Inverstimi në sport theksoi kryebashkiaku është investimi më i mirë për gjeneratat e ardhshme.

“Ftesa për gjithë prindërit është të regjistrojmë fëmijët edhe në një kurs sportiv, ku tenisi është ndoshta sporti më elitar dhe më elegant. Nuk mendoj se mësojmë vetëm nga librat, por mësojmë edhe nga kontakti që kemi me njëri-tjetrin; mësojmë që jeta ka edhe fitore, edhe humbje. Mezi pres që këtë vit, përveç 62 shkollave që i kemi kthyer në hapësira komunitare, ku pasdite luhet tenis, futboll, basketboll, volejboll, të shtojmë regjistrimet dhe të sigurohemi që një ushtri çunash e gocash nga Shqipëria kthehen ndoshta në kampionët e ardhshëm, nga ata që do ngrenë flamurin shqiptar në garat e ardhshme”.

Turneu “Tenis Europe U-16 Telekom Open” u zhvillua në Qendrën Kombëtare të Tenisit  ku morën pjesë lojtarë nga gjithë Europa, mes të cilëve edhe 10 sportistë shqiptarë. /ABC News Albania 24/7