Masat për sezonin turistik, Manastirliu: 28 qendra shëndetësore verore dhe dezinfektim në gjithë bregdetin

schedule11:28 - 18 Maj, 2021

schedule 11:28 - 18 Maj, 2021

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me Task-Forcën dhe operatorët turistikë në Golem, për masat e sezonit turistik.

Manastirliu tha se brenda muajit maj synohet përfundimi i vaksinimit për punonjësit turistikë.

“Janë kryer 4 mijë vaksinime në të gjithë rrjetin e turoperatorëve dhe do të vijojnë me intensitet të shtuar për të garantuar ruajtjen e shëndetit. Brenda muajit maj do të vijojmë të përfundojmë vaksinimin e punonjësve në strukturat akomoduese”, tha Manastirliu.

Më tej ministrja e Shëndetësisë tha se vaksinimi është i rëndësishëm për të garantuar një sezon turistik më të lehtësuar, por zbatimi i protokolleve kundër Covid duhet të respektohet.

“MSh po përgatitet për mbarëvajtjen e të gjithë sezonit. Ky sezon do të ketë në komponentët e tij edhe hapjen e qendrave shëndetësore verore. Do të hapen 28 qendra shëndetësore verore ku parashikohen të ketë pika turistike. Programi i dezinfektimit po ashtu është shumë i rëndësishëm. Në 28 maj përfundon faza e parë e dezinfektimit për gjatë gjithë bregdetit”, tha Manastirliu.

/abcnews.al/