Marrëveshja Kosovë-Serbi, Hahn: Të mos jetë precedent

schedule15:07 - 21 Shtator, 2018

schedule 15:07 - 21 Shtator, 2018

Eurokomisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë kërkon që marrëveshja mes Prishtinës dhe Beogradit të mos jetë precedent, por të garantojë stabilitet në Ballkan. Johanes Hahn thotë se Kosovës dhe Serbisë u duhet kohë për normalizimin e marrëdhënieve.

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Johanes Hahn, duke folur për marrëveshjen ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit tha se duhet të jetë në një linjë me të drejtën ndërkombëtare. Në një intervistë për gazetën serbe “Pobjeda”, zyrtari i BE-së është pyetur për ndryshimet e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Hahn thotë se ndërmjet dy shteteve duhet të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme dhe afatgjatë, një zgjidhje reale dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

“Secila marrëveshje duhet të jetë specifike dhe e aplikueshme. Ajo nuk duhet të jetë një precedent, por duhet të kontribuojë në stabilitetin e rajonit, dhe për rrugëtimin e tij drejt BE-së. Ata kanë nevojë për kohë që të arrijnë një marrëveshje që do të jetë gjithëpërfshirëse dhe që synim ka normalizimin e raporteve”, nënvizon eurokomisioneri.

Hahn tha se si një ndërmjetësues në këtë çështje nuk do të komentojë elemente specifike të një marrëveshjeje të mundshme.

“Ne po punojmë fortë dhe me intensitet që të dyja palët të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme që mbështetet në të drejtën ndërkombëtare dhe është plotësisht e implementuesheme nga të gjitha palët”, përfundoi ai.

Hahn gjithashtu ripërsëriti se asnjë shtet nuk mund të hyjë në BE, pa zgjidhur problemet bilaterale./abcnews.al