Manchester United rrezikon Champions-in

schedule15:15 - 3 Prill, 2019

schedule 15:15 - 3 Prill, 2019

Manchester United rrezikon seriozisht kualifikimin për në Champions pas humbjes në Premier Ligën angleze, por trajneri Solskjaer ishte i kënaqur me skuadrën. Norvegjezi u shpreh se ndeshja duhej të ishte fituar.

Fillimi i mirë është vërtet gjysma e punës, por gjysmës tjetër sërish nuk i dihet. Ole Gunnar Solskjaer, kjo pjesë po i qëllon e vështirë, paradoksalisht sapo iu dha ajo që kërkonte, kontratën si trajner me kohë të plotë i Manchester United.

Në vetëm 17 ditë, skuadra e tij ka pësuar tashmë dy disfata në të njëjtin stadium, atë të Uolvesit, së pari duke u eleminuar nga Kupa, dhe së dyti duke u mposhtur në kampionat. Kjo do të thotë se shpresat e United për të qenë në një nga 4 vendet e para, pra për të shkuar në Champions sezonin e ardhshëm, janë shumë te rrezikuara.

“Djajtë e kuq” kanë 61 pikë dhe rrezikohen shumë në një garë të ashpër me Tottenham-in, Arsenalin dhe Chelsea.

“Ne duhej të kishim fituar, – deklaroi Solskjaer më pas, – patëm mundësi të shënonim 3 apo 4 gola, por portieri vendas bëri pritje të shkëlqyera. Kundërshtari shënoi me rastin e parë që pati. Gjithsesi, ne bëmë gabime në mbrojtje, ndaj edhe humbëm. Nuk na lejohet më asnjë gabim”.

United nuk pati problem vetëm humbjen, por edhe polemikat pas saj. Dy futbollistë, Sergio Romero e Marcos Rojo, u kapën nga kamerat ndërsa bisedonin e qeshnin, në minutat e fundit kur skuadra po humbiste.

Kjo nuk u prit aspak mirë nga tifozët që i sulmuan ashpër, duke e quajtur sjelljen e tyre një turp dhe një fatkeqësi, sidomos për rrogat që marrin, dhe kërkuan nga klubi që t’i largojë.

Në të vërtetë, në në stadiumin “Molino”, gjithçka nisi mirë për skuadrën e Solskjaerit që kaloi në epërsi në minutën e 13-të me anë të skocezit Skot Mektominej.  Diogo Joto barazoi në të 25-ën, ndërsa dalja me të kuqe e Eshli Jangut i prishi shumë punë miqve. Autogoli i Chris Smalling “i vuri kapakun”, në minutën e 77-të./abcnews.al