Prej më shumë se 24 orësh, zjarri vijon të mbajë të alarmuar Mallakastrën.
Flakët kanë përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme me pisha dhe bimësi në zonën e Rribanit, ndërsa era dhe terreni i vështirë kanë favorizuar përhapjen e vatrës drejt masiveve pyjore të Lofkëndit dhe zonave përreth.
Rreth 15 hektarë sipërfaqe pyjore raportohet se janë përfshirë nga flakët, ndërsa gjatë natës situata është bërë më problematike për shkak të intensitetit të zjarrit.
Forcat zjarrfikëse, strukturat e emergjencave civile, shërbimet pyjore dhe Forcat e Armatosura vijojnë prej dy ditësh përpjekjet për izolimin e vatrës dhe shmangien e përhapjes së mëtejshme.
Për shkak të vështirësisë së ndërhyrjes nga toka, në operacion është përfshirë edhe mbështetja nga ajri. Avioni zjarrfikës “Air Tractor 802 Fire Boss” ka kryer ndërhyrjet e para në territory, duke hedhur ujë mbi vatrat aktive në Rriban të Mallakastrës.
Për aktivizimin e avionit ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale e cilësoi atë një forcë shtesë në përballjen me zjarret e kësaj vere.
Në operacionin për shuarjen e flakëve janë angazhuar gjithashtu helikopterët e Forcës Ajrore dhe droni “Bayraktar”, i cili po përdoret për monitorimin dhe evidentimin e vatrave aktive.
Ndërkohë, banorët e evakuuar një ditë më parë nga zonat e rrezikuara janë rikthyer në banesat e tyre, pasi rreziku për zonat e banuara është ulur. Megjithatë, situata vijon të monitorohet, pasi zjarri ende nuk është vënë plotësisht nën kontroll.


