Lushnjë me vila dhe me hekurudhë shumë vite më para. Një qytet që pak kush ia di historinë e luksit, tregohet përmes ekspozitës me fotografi të rralla të nxjerra nga arkivat nëpër vende të ndryshme të botës.
Foto të shkrepura një shekull më parë.
Askush nuk e mban mend se rreth viteve 1800-1900 Lushnja kishte vila apo që përmes qendrës së sotme kalonte linja hekurudhore.
Janë këto foto të rralla të nxjerra nga arkiva të ndryshme botërore që tregojnë pamjen reale të qytetit në Myzeqe.
Nuk ka varfëri, toka bujqësore apo këneta mushkonjash.
Në këtë ekspozitë fotografike vijnë momente të qytetit ditën e Çlirimit 29 Nëntor 1944, kalimi me lundër përmes lumit Seman apo grupi i mësuesve të gjuhës gjermane të veshur sipas modës së fundit.
Rreth 150 fotografi që përbëjnë koleksionin më të madh të fotove të Myzeqese. Shumica e tyre janë marrë nga arkivat e Uashingtonit, Vienës, Londrës etj. Dhuratë e çmuar janë fotot nga albanologu Robert Elsie apo fotot e marra nga Marubi.
Të gjitha tregojnë Lushnjën e panjohur më parë.
Urbanizimi i qytetit ka zhdukur çdo gjurmë të historisë arkitektonike të shek. 18 dhe 19. Fotot janë vetëm imazh i së kaluarës. Fiset që i zotëronin nuk i mbajnë mend sesi kanë qenë lagjet ku ndërtuan stërgjyshërit e tyre. Është vetëm përpjekja e të huajve për të fotografuar historinë e Lushnjës .
Ekspozita do të qëndrojë e hapur vetëm pesë ditë dhe më pas 150 fotot do të qëndrojnë të mbyllura nëpër kuti. Lushnja nuk ka nje fototekë të saj, çka ka bërë që ekspozita të çelet vetëm në raste festash./abcnews.al