Piktori dhe kritiku i artit Oltsen Gripshi prezanton në Tiranë ekspozitën e tij më të re, “Lakuriq”, një projekt artistik dhe filozofik që eksploron trupin dhe intimitetin si mënyrë për të reflektuar mbi qenien njerëzore. E hapur që prej 9 shkurtit në Galerinë “Gocat”, te Piramida, ekspozita sjell një seri veprash që synojnë të nxisin kuriozitetin dhe reflektimin e publikut për atë që fshihet pas trupit dhe identitetit njerëzor.
“Lakuriq” është rezultat i një pune intensive dyvjeçare, realizuar në bashkëpunim me drejtoreshën artistike të galerisë “Gocat”, ndërsa kurator i ekspozitës është Massimo Scaringella. Sipas Gripshit, projekti nis nga koncepti i lëkurës membrana që krijon kufirin mes brendësisë dhe botës së jashtme për të eksploruar më pas dimensione të ndryshme të qenies njerëzore.
Nëpërmjet pikturave dhe instalacioneve, ekspozita e trajton njeriun në aspektet filozofike, semantike, politike dhe shoqërore, duke përcjellë mesazhe që sfidojnë perceptimet e zakonshme. Pika e nisjes së ekspozitës është një instalacion simbolik: testi i shtatzënisë, i cili përfaqëson zanafillën e jetës. Nga aty, rrëfimi artistik vazhdon me elementë si kërthiza dhe një bosht simbolik që udhëheq gjithë konceptin e ekspozitës.
Ekspozita “Lakuriq” do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 15 mars, duke ftuar vizitorët të përballen me një reflektim të thellë mbi trupin, identitetin dhe vetë ekzistencën njerëzore.


