E nënta fitore radhazi! Liverpool nuk ndalët as nga Arsenal në Londër. Skuadra e Jurgen Klopp ka fituar me rezultatin e pastër 2-0 dhe tashmë është afruar me një pikë me Manchester City që kryeson kampionatin anglez të futbollit.
Dueli i sotëm ishte emocionues, me duele të shumta por me pak raste në 45 minutat e para. Në fillim ishte mbrojtësi Virgil Van Dijk ai që “kërcënoi” vendasit, por Ramsdale nuk lejoi prekjen e rrjetës.
Tjetër ritëm kishte 45-minutëshi i dytë, që nisi me një gol të anuluar të Mane për pozicion jashtë loje. Në minutën e 51-të Alisson shpëtoi Liverpool nga goli, pas një tentative të Martin Odegaard.
Katër minuta më pas ndeshja u zhbllokua, me Diogo Jota që ishte fantastik dhe e ndëshkoi ekipin e Arsenalit. Vrulli i Liverpool nuk u ndal. Bobi Firmino realizoi edhe golin e dytë pas shtatë minutash, duke i dhënë një goditje të rëndë skuadrës së Arsenal.
“Topçinjtë” iu afruan golit dy minuta para fundit të kohës së rregullt me anë të Martinelli, i cili e çoi topin ngjitur me shtyllën pingule. Tre pikë për Liverpool, ndërsa Arsenal u mposht pas pesë fitoreve radhazi.


