Nga takimi i Ramës me Biden e Erdogan te ftesa për Finlandën e Suedinë, çfarë ndodhi në samitin e NATO-s në Madrid

schedule21:25 - 29 Qershor, 2022

schedule 21:25 - 29 Qershor, 2022

Në Madrid të Spanjës po mbahet sot samiti i NATO-s. Liderët botërore të vendeve anëtare të aleancës ushtarake po diskutojnë mbështetje të mëtejshme për Ukrainës, që përballet prej muajit shkurt me pushtimin rus.

Udhëheqësit e vendeve perëndimore në një zë i kanë dërguar mesazh të qartë Vladimir Putinin se Ukraina do ta fitojë këtë luftë.

Në Madrid ndodhet edhe kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Jashtme Olta Xhaçka dhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

Zhvillimet më të fundit nga samiti i NATO-s:

21:25- Rusia dhe Kina shpallen “armike”, çfarë ka ndryshuar në Konceptin e ri Strategjik të NATO-s

Koncepti Strategjik i përditësuar i NATO-s shpjegon, në një dokument prej 11 faqesh, se si aleanca i sheh kërcënimet me të cilat përballen demokracitë perëndimore dhe se si planifikon t’i trajtojë ato.

Kanë mbaruar referencat e së kaluarës se Rusia apo Kina janë partnerë, shkruan BBC.

Federata Ruse, thuhet në të, është kërcënimi më domethënës dhe i drejtpërdrejtë për sigurinë e aleatëve dhe për paqen dhe stabilitetin në zonën euro-atlantike.

“Ne nuk mund ta konsiderojmë atë si partnerin tonë, por mbetemi të gatshëm të mbajmë kanale të hapura komunikimi për të parandaluar përshkallëzimin”, thuhet në dokument.

Operacionet dashakeqe hibride dhe kibernetike të Kinës dhe retorika e saj konfrontuese dëmtojnë sigurinë e aleancës, thotë dokumenti, dhe thellimi i partneritetit strategjik midis Rusisë dhe Kinës bie ndesh me vlerat dhe interesat e NATO-s.

Duke iu referuar deklaratave të përsëritura të Presidentit Putin se ai ka një arsenal të madh armësh bërthamore, Koncepti Strategjik i NATO-s tregon për parandalimin e një sulmi bërthamor.

“Nëse dikush ka përdorur armë bërthamore kundër aleancës, atëherë ajo ka aftësitë dhe vendosmërinë për të imponuar kosto “të papranueshme” ndaj një kundërshtari. Por këto rrethana janë jashtëzakonisht të largëta”, parashtron dokumenti.

Koncepti Strategjik është i shkurtër në detaje se ku NATO planifikon të vendosë përforcimet e saj.

Por dera e saj mbetet e hapur për anëtarët e rinj: ne do të vazhdojmë të zhvillojmë partneritetet tona me Bosnjën dhe Hercegovinën, Gjeorgjinë dhe Ukrainën, konfirmon NATO.

19:49 – “Drita jeshile” për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO, Biden falenderon Erdogan

Presidenti i SHBA-së Joe Biden falënderoi homologun e tij turk Rexhep Tajip Erdogan në fillim të një takimi të mërkurën, pasi ai ra dakord për të lejuar Finlandën dhe Suedinë të anëtarësohen në NATO.

“Dua t’ju falënderoj veçanërisht për atë që bëtë, për situatën në lidhje me Finlandën dhe Suedinë, dhe të gjithë punën e jashtëzakonshme që po bëni për të nxjerrë grurin nga Ukraina”, i tha Biden Erdoganit gjatë samiti i NATO-s në Madrid.

“Ju jeni duke bërë një punë të shkëlqyer”, shtoi Biden.

Turqia ka qenë në diskutime me Rusinë për eksportin e grurit nga Ukraina. Erdogan tha se shpreson se diplomacia do të ndihmojë në nxjerrjen e grurit nga Ukraina.

“Lutem që ne do të jemi në gjendje të rivendosim ekuilibrin përmes diplomacisë në mënyrë që të kultivojmë rezultate pozitive, veçanërisht në lidhje me grurin”, i tha Erdogan Biden.

“Konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës dhe zhvillimet negative në lidhje me nxjerrjen e grurit nga portet e Ukrainës, si dhe zhvillimet në lidhje me naftën dhe gazin natyror, kërkojnë që të gjithë ne të punojmë së bashku për të zgjidhur një herë e përgjithmonë mosmarrëveshjet”, shtoi ai.

“Ka vende që janë të privuar nga gruri dhe ne do të hapim korridoret dhe do t’u lejojmë atyre aksesin në drithin që u nevojitet”, tha ai.

Erdogan tha se i dha atij “kënaqësi të madhe” takimi me Biden pas një kohe të gjatë.

18:50- Rama tregon bisedën me Biden dhe kërkesën ndaj NATO-s për Kosovën: Dëgjova fjalët më të mira nga presidenti amerikan

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se ka kërkuar në samitin e NATO-s që po mbahet në Madrid se ka kërkuar që Kosova të ftohet menjëherë në mekanizmin e Partneritetit për Paqe.

Në një postim në Twitter, ai vuri në dukje rreshtimin e Kosovës krah BE-së lidhur me agresionin rus në Ukrainë, edhe pse kjo e fundit nuk i njeh si shtet.

Ai ka treguar gjithashtu bisedën me presidentin amerikan Joe Biden, i cili ka shprehur dëshirën për të organizuar diçka bashkarisht me rastin e 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipëri-SHBA.

SOT në NATO: Kërkova që Kosova të ftohet menjëherë në mekanizmin e Partneritetit për Paqe. Vendet që nuk e njohin ende Kosovën duhet të vlerësojnë qëndrimin e saj krejt të njehsuar me BE-në ndaj agresionit rus mbi Ukrainën – pavarësisht se Ukraina nuk e ka njohur ende Kosovën. Shpjegova dallimet e pozicioneve në Ballkan në raport me Rusinë e me sanksionet ndaj saj, arsyet e këtyre dallimeve dhe domosdoshmërinë e ruajtjes së stabilitetit e të nxitjes së bashkëpunimit rajonal, duke rritur ndërveprimin konstruktiv me Serbinë të BE-së dhe vendeve të NATO-s. Vlerësova marrëveshjen e arritur mes Suedisë, Finlandës dhe Turqisë, duke çmuar qasjen e drejtëpërdrejtë të Presidentit Erdogan në funksion të një shqetësimi shumë serioz të shtetit turk dhe nënvizuar se kjo marrëveshje është një shembull për zgjidhjet e problemeve mes aleatësh. Dëgjova nga Presindenti Joe Biden fjalët më të mira për Shqipërinë dhe rolin e saj në Këshillin e Sigurimit e në NATO, si edhe shprehjen e dëshirës së tij për të organizuar diçka bashkarisht me rastin e 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipëri-SHBA”, shkruan Rama.

17:54- Johnson takohet me Erdogan në samitin e NATO-s, zbardhet biseda e dy liderëve

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson ka përgëzuar udhëheqjen e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan për çështjen e nxjerrjes së grurit nga Ukraina.

Dyshja, duke u takuar në samitin e NATO-s, diskutuan pranimin e Finlandës dhe Suedisë në aleancë, me Johnson që përshëndeti një marrëveshje midis Turqisë (një anëtar ekzistues) dhe qarqeve nordike që i lejon ata të bashkohen me aleancën.

Johnson i tha Erdoganit se pranimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO do ta bëjë aleancën më të fortë ndërsa shohim përpara në një dekadë më të rrezikshme, tha një zëdhënës i Downing Street.

Për çështjen e eksporteve të grurit, Johnson theksoi se bllokada e vazhdueshme e presidentit Putin ndaj porteve të Ukrainës po krijon një krizë humanitare ndërkombëtare, si në Ukrainë ashtu edhe në mbarë botën.

16:39- Ukraina vlerëson qëndrimin e NATO-s ndaj Rusisë dhe ftesën për Suedinë e Finlnadën

Ukraina vlerësoi NATO-n për qëndrimin ndaj Rusisë dhe për ftesën e Finlandës dhe Suedisë për t’u bashkuar me aleancën ushtarake dhe bëri thirrje për një pozicion po aq të fortë dhe aktiv ndaj Ukrainës për të mbrojtur sigurinë euro-atlantike.

“Sot në Madrid, NATO dëshmoi se mund të marrë vendime të vështira, por thelbësore”, shkroi Ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba në Twitter.

Ne mirëpresim një qëndrim të qartë ndaj Rusisë, si dhe pranimin e Finlandës dhe Suedisë. Një pozicion po aq i fortë dhe aktiv ndaj Ukrainës do të ndihmojë në mbrojtjen e sigurisë dhe stabilitetit euroatlantik”, shtoi ai.

15:48- Siria njeh zyrtarisht republikat e vetëshpallura të Luhanskut dhe Donetskut

Siria ka njohur zyrtarisht pavarësinë dhe sovranitetin e territoreve të kontrolluara nga Rusia të Luhansk dhe Donetsk në Ukrainën lindore, shkruan The Guardian.

Rikujtojmë se presidenca siriane kishte pohuar synimin e saj për të bashkëpunuar me dy republikat e vetëshpallura në shkurt, dhe vendimi u konfirmua  ditën e sotme nga agjencia shtetërore e lajmeve SANA, duke cituar një burim të ministrisë së jashtme.

Republika e vetëshpallur Popullore e Donetskut dhe Republika Popullore e Luhanskut u formuan në prill 2014.

Deri më tani, i vetmi shtet anëtar i OKB-së që njohu legjitimitetin e tyre ishte Rusia.

15:47- Stoltenberg garanton mbështetjen për Ukrainën, NATO njeh Rusinë si kërcënimin më të madh për sigurinë në zonën euro-atlantike

NATO ka konfirmuar mbështetjen për Ukrainën, teksa liderët e vendeve anëtare janë mbledhur për samitin e radhës në Madrid të Spanjës.

Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg tha se mori  garanci nga liderët se do të jenë krah Ukrainës me ndihmë ushtarake dhe financiare dhe kanë rënë dakord për një paketë të re ndihme gjithëpërfshirëse.

Siç raporton BBC, ai tha gjithashtu se një Ukrainë e fortë e pavarur është jetike për stabilitetin në Evropë.

Stoltenberg dënoi edhe agresionin rus duke thënë se presidenti rus Putin ka shkatërruar paqen në Evropë dhe se kjo është kriza më e madhe e sigurisë që nga Lufta e Dytë Botërore .

Ndërkohë, udhëheqjen dhe lidershipin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Stoltenberg e quajti frymëzim.

Ndërkohë që Jens Stoltenberg jepte konferencën për shtyp, NATO ka publikuar deklaratën e bërë nga krerët e shteteve në takim.

Në të thuhet se NATO do të rrisë ndjeshëm parandalimin dhe mbrojtjen dhe do të ftojë Suedinë dhe Finlandën t’i bashkohen aleancës.

Më tej thuhet se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës “minon rëndë sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar” dhe se Rusia është “kërcënimi më domethënës dhe i drejtpërdrejtë për sigurinë e aleatëve dhe për paqen dhe stabilitetin në zonën euro-atlantike” – dhe se NATO “do të vazhdojë dhe do të rrisë më tej mbështetjen politike dhe praktike për Ukrainën.

Udhëheqësit kanë miratuar një Koncept të ri Strategjik, për të cilin deklarata thotë se riafirmon vlerat thelbësore të NATO-s.

15:37- VIDEO/ Momenti i frikshëm kur raketa ruse godet qendrën tregtare, pamjet që “rrëzojnë” Kremlinin

Pamje të reja janë publikuar nga momenti kur një raketë ruse godet një qendër tregtare në Kremenchuk të Ukrainës, duke hedhur kështu poshtë pretendimet e Kremlinit se ambientet u përfshinë nga flakët, pasi u godit një fabrikë aty pranë.

Videoja është kapur nga kamerat me pamje nga pjesa e pasme e qendrës tregtare Amstor dhe tregon atë që duket të jetë një raketë e drejtuar AS-4 Kitchen duke u përplasur në qendrën tregtare pak para orës 16:00 më kohën lokale.

Pamjet e reja vijnë pasi video të tjera të publikuara më parë, tregonin një park aty pranë në momentin kur një raketë e dytë goditi fabrikën Kredmash, e cila ndodhet pas qendrës tregtare, duke shkatërruar katër magazina në skajin verior të kompleksit.

Të paktën 18 njerëz u vranë në sulm dhe 21 të tjerë ende të zhdukur deri sot, me ekipet e shpëtimit që paralajmëruan se nuk ka gjasa t’i kenë mbijetuar një ferri që shkatërroi qendrën tregtare dhe shkaktoi shembjen e çatisë. Identifikimi i viktimave po rezulton i vështirë, me disa trupa të djegur aq sa nuk njihen.

15:06- Samiti i NATO-s: Biden dhe Erdogan do të diskutojnë shitjen e dhjetëra F-16

Presidenti amerikan Joe Biden dhe homologu i tij turk Rexhep Tajip Erdogan do të diskutojnë shitjen e dhjetëra avionëve luftarakë F-16 për të modernizuar flotën turke, në kuadër të samitit të NATO-s , sipas Bloomberg.

Takimi i dy liderëve do të zhvillohet sot në Madrid , 24 orë pasi Erdogani braktisi përpjekjet për të penguar anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO , duke e sjellë Aleancën e Atlantikut të Veriut një hap më pranë forcimit të lindjes së saj me Rusinë.

Ky veprim duket se ka fituar mbështetjen e SHBA për Forcën Ajrore Turke, forca e dytë më e madhe ushtarake në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut, tha agjencia.

“Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së mbështet plotësisht planet e modernizimit të Turqisë për flotën F-16, “ u tha gazetarëve Ndihmës Sekretarja e Mbrojtjes Celeste Ëalder .

“Këto plane janë në punë dhe duhet të zbatohen përmes procedurave të prokurimit, por Shtetet e Bashkuara mbështesin modernizimin e flotës së saj luftarake nga Turqia, sepse ky është kontributi për sigurinë e NATO-s dhe rrjedhimisht për sigurinë amerikane” , shtoi ai.

Më herët, Shtetet e Bashkuara dhe Turqia bllokuan çdo negociatë për kërkesa afatgjata, të tilla si avionët luftarakë F-16 në këmbim të lejimit të Suedisë dhe Finlandës për të filluar procesin e anëtarësimit në aleancë.

Vendimi i liderit turk për t’i lejuar skandinavët të anëtarësohen në NATO hapi rrugën për një takim zyrtar me presidentin amerikan, sipas një zyrtari të lartë të qeverisë Biden.

Të dy krerët pritet të diskutojnë çështje të ndryshme, tha zyrtari amerikan në kushte anonimiteti, duke përfshirë kërkesat e gjata të mbrojtjes të Turqisë.

14:54- NATO fton zyrtarisht Finlandën dhe Suedinë të bëhen anëtare

NATO ka ftuar zyrtarisht Suedinë dhe Finlandën që t’i bashkohen aleancës ushtarake të udhëhequr nga SHBA, sipas një deklarate nga krerët e shteteve dhe qeverive anëtare të mërkurën.

“Sot, ne kemi vendosur të ftojmë Finlandën dhe Suedinë që të bëhen anëtarë të NATO-s dhe ramë dakord të nënshkruajmë Protokollet e Anëtarësimit”, thuhet në deklaratë.

Më herët sot, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se pas ftesës, duhet ratifikimi në 30 parlamentet e vendeve anëtare.

“Ne kemi nevojë për një proces ratifikimi në 30 parlamente; kjo kërkon gjithmonë pak kohë, por unë pres gjithashtu që të shkojë mjaft shpejt sepse aleatët janë të gatshëm të përpiqen që procesi i ratifikimit të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha shefi i aleancës ushtarake.

14:40- Johnson: Do të marr pjesë në samitin e G20 edhe nëse vjen Putini

Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, tha se ai do të merrte pjesë në samitin e G20 të këtij viti në Bali edhe nëse presidenti rus Vladimir Putin vendos të shkojë.  Johnson tha se bojkoti thjesht do t’ia linte Rusisë dhe aleatëve të saj të gjithë argumentin.

Kryeministri britanik u tha gazetarëve se do të ishte “absolutisht i habitur” nëse Putini do të shkonte personalisht në samitin e liderëve në nëntor në ishullin indonezian, duke vënë në dukje mungesën e presidentit rus në udhëtimet e fundit jashtë shtetit, megjithëse Putin sapo ka vizituar Taxhikistanin dhe do të shkojë në Turkmenistan.

Rusia vijon të jetë anëtare e G20, pavarësisht se është përjashtuar nga G8, dhe Kremlini ka thënë se Putin planifikon të marrë pjesë personalisht në samitin e Balit.

“Po, ai është ftuar zyrtarisht. Unë nuk mendoj se do të shkojë. Pyetja është: ne si vende perëndimore a i lirojmë vendet tona në G20 dhe a ia lëmë të gjithë argumentin Kinës, Rusisë?

Pjesa më e madhe e bisedës në G7 ka qenë rreth asaj, a po bëjmë mjaftueshëm për të fituar mbi votuesit e lëkundur? Ne duhet të bëjmë më shumë që Ukraina të ditojë.

Mendoj se nëse liron diçka si G20, rrezikon t’ua japësh mundësinë e propagandës të tjerëve”, është shprehur kreu i qeverisë britanike.

14:10-“A nuk kemi paguar mjaftueshëm?” Zelensky i ushtron presion NATO-s për anëtarësimin e Ukrainës

Duke iu drejtuar samitit të NATO-s, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pyeti liderët e aleancës ushtarake gjatë një takimi të mërkurën, nëse Ukraina nuk kishte paguar mjaftueshëm për anëtarësimin e vendit, shkruan CNN.

A është ende i pamjaftueshëm kontributi ynë në mbrojtjen si të Europës ashtu edhe të gjithë qytetërimit? Çfarë tjetër nevojitet më shumë,” “Ne kemi nevojë për garanci sigurie dhe ju duhet të gjeni një vend për Ukrainën në hapësirën e përbashkët të sigurisë”, shtoi ai.

Presidenti, i bëri thirrje gjithashtu NATO-s të “rishikojë” mënyrën se si e vlerëson krahun e saj lindor.

“Duhet të eleminojmë zonën gri, të garantojmë siguri së bashku me Ukrainën”, tha ai.

“Mendoni vetëm për një fakt tani: sot, një vend që nuk është anëtar i NATO-s, edhe pse me mbështetjen tuaj, ka frenuar për më shumë se katër muaj një shtet, të cilin ju të gjithë e identifikoni zyrtarisht si kërcënimin kryesor për veten tuaj. Ne po e pengojmë Rusinë të na shkatërrojë dhe të ju shkatërrojë juve”, tha Zelensky.

A është rastësi që të gjithë aleatët në lindje, të gjithë fqinjët tanë, janë në favor të anëtarësimit të Ukrainës në NATO?

 Jo, kjo nuk është një rastësi. Kjo është logjika,  përfundoi ai.

13:58- Zelensky i drejtohet samitit të NATO-s: Kemi nevojë për më shumë armë

Volodymyr Zelensky u kërkoi udhëheqësve të NATO-s në Madrid se Kievit i duhen më shumë armë dhe para për të mbrojtur veten kundër pushtimit rus, sipas The Guardian.

Kjo nuk është një luftë që po bën Rusia vetëm kundër Ukrainës. Kjo është një luftë për të drejtën, për të diktuar kushtet në Europë – për atë se si do të jetë rendi i ardhshëm botëror. Ishte “absolutisht e nevojshme” që vendet e NATO-s të mbështesin Ukrainën “me armë, financa dhe sanksione politike kundër Rusisë”, tha ai.

Ukraina ka nevojë për sisteme moderne raketore dhe të mbrojtjes ajrore, tha Zelensky.

“Duke na i dërguar këto armë, ju mund të thyeni plotësisht taktikat e Rusisë për të shkatërruar qytete dhe për të terrorizuar civilët”, përfundoi Zelensky.

13:38- Britania e Madhe, sanksione 13 individë e entitete të Rusisë, mes tyre një kushëri i Putinit

Britania e Madhe ka njoftuar vendosjen e sanksioneve ndaj 13 individëve dhe entiteteve në Rusi. Mes tyre raportohet të jetë edhe një kushëri i Vladimir Putinit, oligarku Vladimir Potanin.

Potatin është përshkruar nga qeveria britanike si njeriu i dytë më i pasur në Rusi.

Nga ana tjetër, ministria e Jashtme e Rusisë njoftoi dje se ka futur 25 qytetarë amerikanë, përfshirë Zonjën e Parë Jill Biden në një “listë ndalimi”. Lajmi vjen në një kohë kur Moska po përpiqet t’u përgjigjet sanksioneve të vendosura nga SHBA dhe vendet Evropiane.

 “Si përgjigje ndaj sanksioneve gjithnjë në zgjerim të SHBA-së kundër figurave politike dhe publike ruse, 25 qytetarë amerikanë do të shtohen në listën e ndalimit”, tha të martën Ministria e Punëve të Jashtme ruse.

Qytetarëve amerikanë në listë, ku përfshihet edhe lideri i pakicës në Senat, Mitch McConnell, u ndalohet hyrja në Rusi për një periudhë të pacaktuar, thuhet në deklaratë.

12:38- Pas heqjes së vetos, Erdogan i kërkon Suedisë dhe Finlandës ekstradimin e terroristëve

Turqia do t’i dërgojë sërish Suedisë dhe Finlandës kërkesën për ekstradimin e 33 anëtarëve të PKK-së dhe anëtarëve të tjerë të organizatës Feto, të cilat janë konsideruar përgjegjës për tentativën për grusht shteti në vitin 2016, sipas mediave të huaja.

Lajmi është bërë i ditur nga  ministri turk i Drejtësisë, Bekir Bozdag, pas nënshkrimit të memorandumit mes Ankarasë, Helsinkit dhe Stokholmit. Kujtojmë se Turqia vendosi veton ndaj kërkesës për anëtarësim në NATO të vendeve skandinave në këmbim të bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit.

Por pas shumë diskutimesh, vetoja më në fund u hoq.

12:31- Biden njofton një prani më të madhe të ushtarëve amerikanë në Europë

Presidenti amerikan Joe Biden ka njoftuar rritjen e forcave amerikane në të gjithë Europën në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës. Duke folur në samitin e NATO-s në Madrid, ai tha se forcat amerikane do të vendosen në tokë, ajër dhe det, pasi presidenti rus Vladamir Putin kishte “shkatërruar paqen”, sipas BBC.

“Së bashku me aleatët tanë ne do të sigurohemi që NATO të përballojë kërcënimet nga të gjitha drejtimet në çdo fushë.”

NATO është po aq “e rëndësishëm sa ka qenë ndonjëherë”, tha ai, duke shtuar se kërkesat e Finlandës dhe Suedisë për t’u bashkuar me aleancën ishin “pikërisht ajo që Putini  nuk dëshironte.

Vendimi i tij vjen pasi dy vendet nordike janë në rrugën e duhur për t’i dhënë fund neutralitetit të tyre historik dhe për t’u bashkuar me NATO-n pasi Turqia, anëtare e aleancës, hoqi veton mbremjën e djeshme.

11:45- Dorën në qafë, Rama takon Bidenin në Samitin e NATO-s në Madrit

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Spanjë, pasi do të marrë pjesë në punimet e Samitit të NATO-s, i cili do të zhvillohet sot edhe nesër në Madrit.

Gjatë Samiti kryeministri i vendit tonë është takuar edhe me presidentin e SHBA-ve  Joe Biden. Në video duket kryeministri Rama, i cili ndodhet pas presidenti amerikan Joe Biden.

Rama nxiton për të mbërritur te Biden dhe ndërsa i afrohet i vë dorën në qafë.

11:42- Liderët botërore i dërgojnë mesazhin Putinit nga Madridi: Ukraina do të fitojë

Liderët botërore të vendeve anëtare të NATO-s janë mbledhur sot në samitin që po mbahet në Madrid, Spanjë. Ata kanë folur për luftën dhe synimin e Perëndimit për të vazhduar mbështetjen ndaj Ukrainës.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez , mikpritës i samitit, thotë se Rusia do të identifikohet si kërcënimi kryesor i aleancës ushtarake në konceptin e saj të ri strategjik, ndërsa më parë ishte partner strategjik.

“Ne po i dërgojmë një mesazh të fortë Putinit. Ju nuk do të fitoni”, tha ai.

Ndërkohë, Olaf Scholz, kancelari gjerman, u shpreh se NATO do të vazhdojë të furnizojë Ukrainën me armë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

“Është mirë që vendet e mbledhura këtu dhe shumë të tjerë gjithashtu, të japin kontributet e tyre në mënyrë që Ukraina të mund të mbrohet, duke ofruar mjete financiare, ndihmë humanitare, por edhe duke siguruar armët që u duhen urgjentisht Ukrainës”, ka thënë kancelari.

11:31- Truss: Fillimisht duhet të mposhtim Rusinë dhe më pas të negociojmë

“Fillimisht duhet të mposhtim Rusinë dhe më pas të negociojmë.”

Kështu ka deklaruar sekretarja e jashtëme e Britanisë së Madhe Lizz Truss, në samitin e  NATO-s, shkruan skynews.

Është absolutisht e domosdoshme që ne të sigurohemi që Rusia të humbasë luftën e saj në Ukrainë. Dhe është e domosdoshme për hir të sigurisë europiane, lirisë dhe demokracisë, dhe është e vetmja mënyrë që ne të arrijmë një paqe të qëndrueshme në Europë.

“Ka disa që thonë se ekziston mundësia për negociata tani ndërsa Rusia vazhdon ende luftën në Ukrainë, por mendoj se kjo do të sillte një paqe të rreme dhe do të çonte në agresion të mëtejshëm në të ardhmen.

“Ne duhet të mësojmë nga mësimet e të kaluarës, dështimet e protokollit të Minskut për shembull, për të qenë në gjendje të sigurojmë një paqe të qëndrueshme në zonë. Pra, mesazhi im shumë i fortë është se ne duhet të mposhtim Rusinë fillimisht dhe të negociojmë më vonë”, theksoi Truss.

11:08- Johnson: Nëse Putin mendon se NATO nuk do të zgjerohet, e ka gabim

Udhëheqësit e vendeve anëtare të NATO-s janë mbledhur sot samitin që po mbahet në Madrid, Spanjë.

Duke folur për mediat, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson thotë se nëse presidenti rus Putin shpreson se NATO nuk do të zgjerohet, e ka gabim.

“Ne kemi dy anëtarë të rinj që vijnë, Finlanda dhe Suedia, një hap i madh përpara për aleancën tonë”, tha kreu i qeverisë britanike.

Johnson thotë se samiti i sotëm do të diskutojë se çfarë mund të bëhet më shumë për të mbështetur Ukrainën dhe çfarë mësimesh mund të nxirren nga muajt e fundit.

Diskutimet do të fokusohen gjithashtu në “rishikimin e qëndrimit të NATO-s në krahun lindor”, shton ai.

09:53- Scholz: NATO do të vazhdojë të furnizojë Ukrainën me armë për aq kohë sa të jetë e nevojshme

“Aleatët e NATO-s do të vazhdojnë të furnizojnë Ukrainën me armë në luftën  kundër Rusisë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.” Kështu  është shprehur nga Madridi kancelari gjerman Olaf Scholz.

“Është mirë që vendet që janë mbledhur këtu, por edhe shumë të tjerë, japin kontributin e tyre në mënyrë që Ukraina të mund të mbrohet – duke ofruar mjete financiare, ndihmë humanitare, por edhe duke ofruar armët që Ukrainës i duhen urgjentisht,” tha Scholz për mediat teksa mbërriti takimin e radhës të samitit të NATO-s.

“Mesazhi është: Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë  për aq kohë sa është e nevojshme për t’i mundësuar Ukrainës të mbrohet,” shtoi ai.

08:58- Stoltenberg: Aleatët janë të gatshëm të përshpejtojnë procesin e ratifikimit për Suedinë dhe Finlandën

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se ai priste ratifikimin e shpejtë të anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në aleancën ushtarake, sipas The Guardian.

“Ne do të marrim një vendim në samit për të ftuar Suedinë dhe Finlandën të bëhen anëtare,”u tha ai gazetarëve në ditën e dytë të samitit të NATO-s në Madrid.  Rikujtojmë se të dy vendet aplikuan për anëtarësim në aleancë në mesin e majit.

“Pas ftesës, ne kemi nevojë për një proces ratifikimi në 30 parlamente. Kjo kërkon gjithmonë pak kohë, por gjithashtu pres që  procedurat të përfundojnë sa më shumë shpejt, pasi aleatët janë gjithashtutë gatshëm të përpiqen për përshpejtimin e procesit”, theksoi Stoltenberg.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!