Abc News transmeton pamje live nga vendi ku realizua vrasja e Kastriot Reçit mesditën e djeshme (e martë) në qender të Rrëshenit. Vrasësi, që mendohet se është qitës profesionist është ngjitur në katin e 9-të të pallatit të verdhë. Ka hyrë në një banesë të boshatisur dhe ka qëlluar nga dritarja e tualetit.
Gazetari i abcnews.al Gjergj Figuri tha në raportim direkt se “goditja ka qenë precize dhe e saktë. Kastriot Reçi u qëllua me një plumb në zemër dhe mbeti i vrarë. Burimet policore thonë se snajperisti kishte përdorur armë me silenciator, dhe për këtë arsye nuk u dëgjua krisma, sikurse kanë pohuar dhe dëshmitarët, të cilët janë shprehur se vetëm kanë parë Kastriot Reçin të rrëzohej në tokë, por nuk kanë dëgjuar asgjë”.
Nga burimet hetimore mësohet se qitja është kryer nga një distancë rreth 250 metra, ç’ka tregon se snajperisti ishte profesionist.
“Kastriot Reci është qëlluar me snajper me një plumb të vetëm. Autori ka qenë i mirëmaskuar, i veshur si femer me fustan dhe me paruke. Ai ka përfituar nga fakti se pallati nga ku është kryer krimi është shpallur i pabanueshëm për shkak të termetit. Nga burimet e grupit hetimor mësohet se autori është ngjitur nga shkallët dhe ka hyrë në një banesë të boshatisur në katin e fundit. Nga dritarja ka qëlluar me precizion të lartë drejt objektit, duke e goditur me plumb në kraharor. Ekzekutori ka dashur të vrasë vetëm Kastriot Reçin dhe madje ka shmangur plumbat ndaj vëllait të Reçit i cili ka kaluar në të njëjtën rrugë, vetëm 3 minuta më parë. Policia ka gjetur maskën të hedhur në rrugën që të çon në fshatin Perlat. Hetuesit kanë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë të bizneseve në rrugët e qytetit për të parë lëvizjet e autorit”, tha gazetari i abcnews.al



