Sondazh

Dhuna e opozitës përballë integrimit europian, si duhet të reagoje qeveria?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“Liri për çlirimtarët”/ Të martën marshim në Shkup në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

schedule15:00 - 14 Shtator, 2026

schedule 15:00 - 14 Shtator, 2026

Një marshim në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë, do të mbahet të martën në Shkup.

Aktiviteti, i organizuar nga Forumi Rinor Shqiptar me moton “Liri për çlirimtarët”, do të nisë më 15 shtator, në orën 18:00, nga sheshi “Skënderbej”.

Marshimi zhvillohet një ditë para shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.



Në njoftimin e tij, Forumi Rinor Shqiptar ka bërë thirrje për pjesëmarrje të gjerë, duke e cilësuar aktivitetin si një tubim sensibilizues dhe shprehje solidariteti me të akuzuarit që ndodhen në Hagë.

“Liri për çlirimtarët! Forumi Rinor Shqiptar organizon aktivitet sensibilizues në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët ndodhen në Hagë, në prag të verdiktit përfundimtar”, thuhet në njoftim.

Organizatorët u kanë bërë thirrje shqiptarëve që t’i bashkohen marshimit dhe të shprehin mbështetjen e tyre për ish-krerët e UÇK-së.

“Nesër ftojmë të gjithë shqiptarët të mblidhemi për t’i dhënë një mesazh gjykatës se ata të cilët u vunë në shërbim të lirisë nën emblemën e UÇK-së, nuk ka gjykatë që i gjykon, sepse UÇK-ja është e pastër. Nga Shkupi do të përcjellim zërin tonë të fuqishëm të solidaritetit dhe mbështetjes”, thuhet në njoftimin e Forumit.

Sipas organizatorëve, UÇK-ja përbën pjesë të historisë dhe të lirisë së shqiptarëve, ndërsa luftëtarët e saj, sipas tyre, meritojnë drejtësi.

“Të gjithë bashkë për drejtësi. Të gjithë bashkë për çlirimtarët!”, përfundon thirrja e Forumit Rinor Shqiptar.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!