Ligji për emigrantët, Trump refuzon versionin e moderuar

schedule20:13 - 24 Maj, 2018

schedule 20:13 - 24 Maj, 2018

Presidenti amerikan ka refuzuar një variant të moderuar të ligjit për emigracionin, duke deklaruar se do të aprovojë vetëm atë që përmban anulimin e lotarisë amerikane dhe ngritjen e murit me Meksikën.

Presidenti amerikan Donald Trump refuzoi të enjten një variant të moderuar të ligjit për emigracionin të ofruar nga një grup republikanësh. Në një intervistë për “Fox News”, Trump deklaroi se do të pranojë vetëm atë version që përmbush kërkesat e tij, përfshirë murin me Meksikën.

“Nëse përfshin murin, dhe këtu e kam fjalën për një mur të vërtetë, atëherë po. Por nëse përfshin vetëm rritjen e sigurisë kufitare, atëherë nga unë nuk do të aprovohet kurrë”, tha Trump.

Presidenti shtoi se, çdo draft duhet të përmbajë gjithashtu anulimin e lotarisë amerikane dhe reduktimin e vizave për të afërmit e emigrantëve të legalizuar.

“Është koha për të miratuar të gjithë paketën”, vijoi Trump në emisionin “Fox and Friends”.

Disa republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit po negociojnë një projektligj që i jep zgjidhje problemit të emigrantëve të rinj, që kanë mbërritur ilegalisht në Shtetet e Bashkuara në moshë të mitur e që tani duan të ndjekin “ëndrrën amerikane”.

Pak ditë më parë ndalimi pranë kufirit me Meksikën të një shtetaseje amerikane që fliste spanjisht shkaktoi polemika në mbarë vendin e njohur si “toka e premtuar”./abcnews.al