“Leksionet” e Mourinho, idhujt dhe ministrat bardhezi: rrëfehet juventini Edi Rama

schedule12:11 - 31 Mars, 2020

schedule 12:11 - 31 Mars, 2020

Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, ka marrë vëmendjen e mediave italiane pas vendimit për të çuar 30 infermierë dhe mjekë në vendin fqinj, që ndodhet në një moment të vështire për shkak të Coronavirusit. Më shumë se 10 mijë viktima dhe situata është ende shumë e rëndë.

Gjithsesi Rama pyetet edhe për gjëra të tjera, veç pandemisë, që sipas tij mund të zgjidhet me “taktikat” e legjendës së Milanit, Arrigo Sacchi. Sikurse edhe dihet, kryeministri i vendit ka qenë basketbollist në rini dhe në intervistën për Tuttosport zbulon se  italiani Dino Menegini ka qenë idhulli i tij.

 

Rama tregon se sporti e ka ndihmuar shumë atë: “Personalisht më ka mësuar shumë në nivel mentaliteti dhe strategjie. Jo më kot kam ndjekur shembujt e skuadrave të mëdha dhe të trajnerëve të mëdhenj për t’u përmirësuar në rolet e mia, të kryetarit të bashkisë, të liderit të opozitës, apo sot të kryeministrit.

Kam mësuar shumë dhe u jam shumë mirënjohës shumë prej tyreve, sidomos portugezi Jose Mourinho. Master-klas dhe autentik pikësëpari. E sigurt është që kam mësuar shumë edhe prej Juventusit. Jam i lidhur me këtë klub që në vegjëli dhe më ka shërbyer edhe si një shkollë, se si të bësh skuadër për të fituar”.

 

Shpesh kryeministri i vendit tonë është parë në takime të ndryshme me xhupa me stema të ndryshme: “ Juventusi për mua është mishërimi i shpirtit fitues, edhe kur parashikimet më pozitive thonë të kundërtën. Kam disa xhupa të ndryshëm të skuadrave të ndryshme, që më kanë ndihmuar në stërvitjen time psikologjike”.

“Ulja e pagave te Juventusi? Është forca e atij shpirtit, që po ju flisja më parë. Ai e bën Juventusin një fe, jo vetëm një skuadër të madhe futbolli. Me respekt të madh them se të njëjtët lojtarë, nëse do të kishin qenë pjesë e skuadrave të tjera të pasura, nuk do të kishin hequr dorë nga pagat e tyre”, shton kryeministri Rama.

 

Në fund të vitit të shkuar, Rama pata një takim me emra si Cristiano Ronaldo dhe Gianluigi Buffon. Për të dy ai ka një mendim pozitiv: “Dy ‘fëmijë’ kolosë. Njerëz me zemër të madhe… Kjo, edhe si rrjedhojë e faktit se edhe ata brenda vetes së tyre e mbajnë ende fort të gjithë rrugën e bërë dhe nuk e kanë harruar kurrë kur ishin askush”.

Dino Zoff është lojtari i preferuar i Ramës, i cili në fund tregon edhe se cilët lojtarë të Juventusit do të donte të kishte në kabinetin e tij qeveritar: “Gorgio Chielinin do e doja si Ministër të Punëve të Brendshme, kurse Bonuccin si Ministër të Mbrojtjes”. /abcnews.al