Lamtumirë përmes FaceTime/ Vajza bisedon me nënën për here të fundit përpara se të vdiste nga koronavirusi

schedule12:15 - 31 Mars, 2020

schedule 12:15 - 31 Mars, 2020

Michelle Bennett përcolli përgjithmonë nënën e saj 75-vjeçare, Carolann Christine Gann, e cila ishte infektuar me koronavirus.

Ajo nuk mundi të ishte pranë saj në momentet e fundit të jetës, t’i shtrëngonte dorën apo t’i jepte puthjen e fundit.

Në një rrëfim tepër emocional për CNN, Michelle tregoi dhimbjen e madhe që ndjeu kur iu desh t’i jepte lamtumirën të ëmës përmes FaceTime.

“Nuk munda të jem atje dhe të mbaj dorën e nënës sime, t’i fërkoj kokën dhe t’i tregoj asaj gjërat që kam dashur t’i them. Ishte një ndjenjë kaq e pafuqishme”, tha Bennett.

Bennett tregoi se një infermiere në spitalin Suedez Issaquah në Uashington e telefonoi atë nga celulari personal dhe tha që frymëmarrja e nënës së saj po ndryshonte dhe ndoshta mund të ndërronte jetë nga momenti në moment.

“Unë po vendos telefonin përballë nënës tuaj në mënyrë që t’i tregoni asaj se e doni dhe t’i thoni lamtumirë. Nëna jote nuk do jetë vetëm, do qëndrojmë me të deri në fund”, i kishte thënë infermierja Bennet.

Bennet foli për rreth 10 minuta në FaceTime me të ëmën. Gjatë bisedës ajo zbuloi se marrëdhëniet me nënën  nuk i kishte shumë të mira si çdo marrëdhenie nënë-bije që ndonjëherë edhe prishen.

“Unë të dua shumë, dhe të fal”, i thotë Bennet në telefon nënës.

Brenda një ore, Bennett tha që nëna e saj ndërroi jetë.

Ajo tregoi se infermierja po qante ndërsa mori telefonin, moment ky që bëri të përlotej edhe moderatoren.

“Unë e di se sa e vështirë është për ta,” tha ajo. “Nuk mund ta imagjinoj të jem në vijën e parë të kësaj dhe të më duhet të shkoj çdo ditë në shtëpi dhe të rrezikoj të infektoj të tjerët. Duhet dhembshuri dhe empati në atë moment sikur të ishe nëna e tyre. Kjo ishte një nga gjërat më mahnitëse që kam përjetuar”./abcnews.al