Kurti në Vjenë: Kosova dhe Serbia të bëjnë deklaratë të paqes me zotim për mos-sulmim

schedule17:55 - 18 Qershor, 2021

schedule 17:55 - 18 Qershor, 2021

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të premte ka qenë pjesë e Samitit të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, i cili është mbajtur në Vjenë nën organizimin e kryeministrit austriak Sebastian Kurz.

Në fjalën e tij në Samit, kreu i qeverisë së Kosovës, ka folur për menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe për qeverisjen e tij që nga marrja e mandatit si kryeministër.

Kurti ndër të tjera ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë një deklaratë të përbashkët të paqes me zotim për mos-sulmim, Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të ballafaqohet me të kaluarën, si dhe Kosova e Serbia të zbatojnë reciprocitetin sa i përket të drejtave të pakicave.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, shkruan se në fjalën e tij ai ka theksuar  përveç tjerash, ka theksuar se “Kosova po e menaxhon mirë e me sukses pandeminë Covid-19. Mesatarisht kemi më pak se një person të infektuar në ditë për 100 mijë banorë dhe më pak se 10 raste aktive në 100 mijë banorë. Bashkimi Evropian do të duhej ta vendos Kosovën në mesin e shteteve të udhëtimit të sigurt lidhur me pandeminë Covid-19”.

Ai ka thënë se “Kosova me qeverisjen e mirë dhe demokratike ka nisur reformat në drejtësi dhe ekonomi”.

Ai edhe në këtë samit ka përsëritur njërën nga katër kërkesat e shprehura në takimin e Brukselit, me presidentin Vuçiç.

“Kosova dhe Serbia të bëjnë një deklaratë të përbashkët të paqes me zotim për mos-sulmim, Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të ballafaqohet me të kaluarën, si dhe Kosova e Serbia të zbatojnë reciprocitetin sa i përket të drejtave të pakicave.

Duhet të hiqen vizat për Kosovën në mënyrë që qytetarët tanë të udhëtojnë lirshëm në vendet e BE-së, kurse gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të kalojnë nga CEFTA në SEFTA (Marrëveshja Evropiane për Tregti të Lirë me Evropën Juglindore) sipas shembullit të EFTA-EEA, pra siç e kanë Lihtenshtajni, Norvegjia e Islanda me BE-në”, shkruan Kurti.

Në margjina të takimti të Samitit të sotëm në Vjenë, Kurti ka zhvilluar një takim me kancelarin austriak, Sebastian Kurz, i cili ishte nikoqir i këtij Samiti.

Ndërkohë kancelari austriak ka publikuar në Twitter një fotografi me Kurtin dhe ka shkruar se COVID-19 ka dëshmuar rëndësinë e partneritet të fuqishëm që duhet të kenë vendet mes vete.

Kurz, tutje shkroi se Kosova dhe Austria do ta vazhdojnë punën e mirë, drejt integrimit në BE-së.

Në Samitin e sotëm për Ballkanin Perëndimor, u bë e ditur se Austria do t’i dhurojë një milion vaksina për vendet e rajonit, me qëllim të luftimit të pandemisë COVID-19.

Përveç ndikimit të pandemisë, në Samitin e sotëm në Vjenë u diskutua edhe për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe luftimin e migracionit të paligjshëm.e.su./abcnews.al