Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit do të mbyllë punën përpara 8 dhjetorit. Kryesuesi i hetimit, Ulsi Manja thotë për ABC Neës se mazhoranca do të japë një votë politike për shkarkimin e Ilir Metës, ndërsa vlerësimin kushtetues do ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese kur të jetë funksionale.
Opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias nuk i ka bindur socialistët të pushojnë hetimin parlamentar për shkarkimin e presidentit. Përkundrazi.
“Brenda afatit të ri që morëm nga Kuvendi, komisioni hetimor do ta përfundojë punën e vetë. Do të zbatojmë planin përfundimtar të hetimit të miratuar nga Komisioni”.
Ulsi Manja që drejton komisionin hetimor, shpjegon për ABC News se çfarë ka ngelur ende për t’u bërë nga hetimi.
“Do të administrohen provat shkresore, dhe këtu e kam fjalën për opinionin paraprak dhe final të Komisionit të Venecias, do të administrohet dhe shkresa e ardhur nga Presidenti i Republikës lidhur me arsyet që e shtynë të anulojë 30 qershorin, duke respektuar tërësisht klauzolat ligjore për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror””.
Komisionit i përfundon mandati hetimor në 8 Dhjetor.
“Komisioni është i detyruar të mbyllë punë që i ka ngarkuar Kuvendi me vendimin nr 84 të vitit 2019. Është një komision që i kërkohet një vlerësim në aspektin ligjor nëse Presidenti e ka shkelur ose jo Kushtetutën, dhe raporti i këtij komisioni hetimor i tillë do të jetë. Më pas seanca plenare vendos politikisht për shkarkimin e Presidentit të Republikës”.
Dhe pse janë të bindur që Meta e ka shkelur Kushtetutën duke çdekretuar 30 qershorin si datë zgjedhjesh, Ulsi Manja nuk është gati të pohojë votën e tij pro shkarkimit.
“Nuk kam asnjë arsye të paragjykoj votën time e as qëndrimin tim. Unë qëndrimin tim do ta shpreh në komisionin hetimor që unë drejtoj dhe votën time do ta shpreh në seancë plenare së bashku me gjithë kolegët e mi të mazhorancës”.
Socialistët do të votojnë shkarkimin, por topi do të ngelet në derën e Gjykatës Kushtetuese.
“Votimi në parlament është votim politik, ndërsa Gjykata Kushtetuese është institucioni i vetëm kushtetues që do të japë një vlerësim në aspektin kushtetues dhe ligjor për këtë procedurë shkarkimi”.
Teksa kjo gjykatë nuk është ende funksionale e plotësimi duket i largët, Ilir Meta do të vazhdojë të jetë në krye të shtetit./ABC News Albania