Kthesa e papritur e Trump…

schedule22:55 - 12 Prill, 2018

schedule 22:55 - 12 Prill, 2018

Me një kthesë të papritur, Presidenti Donald Trump ka vendosur të fusë sërish Amerikën në marrëveshjen tregtare të Trans-Paqësorit, nga e cila e nxorri menjëherë sapo mori drejtimin e Shtëpisë së Bardhë. Lëvizja është komentuar sa me habi ashtu dhe me ironi në media.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar të enjten se planifikon të riintegrojë Shtetet e Bashkuara në Partneritetin tregtar të Trans-Paqësorit. Njoftimi i kreut të shtetit, i bërë në një takim me ligjvënës dhe guvernatorë, është komentuar në mediat amerikane si një kthesë e papritur, nisur nga fakti se me shumë nxitim ai e braktisi marrëveshjen sapo mori drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.

Pakti tregtar shumëkombësh ishte realizuar me nismë të presidentit parardhës Barack Obama dhe ishte mirëpritur si nga republikanët, ashtu edhe nga manjatët industrialë amerikanë. Ai shihej gjerësisht si një mjet për të stimuluar Kinën të ndërmerrte ato reforma ekonomike që Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera prisnin prej saj.

Vendimi i Trump për t’u tërhequr kishte lënë të zhgënjyer biznesmenët, të cilët argumentuan se Shtetet e Bashkuara do të gjendeshin në kushte të pafavorshme tregtare dhe se në këtë mënyrë po i hapej rrugë epërsisë së Kinës. Edhe vetë republikanët u shprehën skeptikë ndaj tendencave tregtare të Trump dhe 25 senatorë i dërguan atij një letër, ku i kërkonin rishikimin e vendimit, në mënyrë që qytetarët amerikanë të përfitonin nga mundësitë e mëdha që pakti ofronte./abcnews.al